
Ylli merr fitoren e parë sezonale
Skuadra e Yllit që nisi stinorin me dy humbje, ka arritur fitoren e parë sezonale sonte, duke e mposhtur në një ndeshje krejtësisht të barabartë, Vëllaznimin.
Në fakt, ky ishte takim i dy ekipeve pa fitore këtë fillim-stinor. Dhe njëra sonte do të merrte fitoren e parë, e 4 sekonda para fundit Trevon Allen dha njërën gjuajtje të lirë, për 84-82. Në sekondat e mbetura Marques Warrick i Vëllaznimit nuk arriti të shënojë treshen.

Allen që dha pikët e fundit të ndeshjes shkëlqeu sonte. Shënoi 27 pikë, bëri 4 asistime dhe 9 kërcime në fitoren e parë për ekipin e Fotis Takianosit. 14 pikë i dha Larry Thomas, që kontribuoi me 6 asistime dhe 7 kërcime. Derisa double-double i vetëm në ndeshje u bë nga Brandon Huffman që kreu lojën me 19 pikë e 12 kërcime.
Te ekipi gjakovar, Warrick shënoi 28 pikë, duke shutuar 6/9 për tre pikë, ndërsa 17 pikë i dha Ziggy Reid. Atik Koshi dhe Leo Colimerio përfunduan ndeshjen me nga 10 pikë të shënuara.
Ylli me këtë fitore bën bilancin 1-2, ndërsa Vëllaznimi i drejtuar nga Jeronimo Sarin mbetet pa fitore këtë stinor dhe qëndron aktualisht i fundit në renditje tabelare me bilanc 0-3.
