
Llapi nuk pushon, zyrtarizon Drilon Cenajn
Mesfushori me përvojë nga arena ndërkombëtare, Drilon Cenaj, është zyrtarizuar sot te Llapi si lojtar i ri i ekipit. Të kaltërit nga Podujeva kanë bërë të ditur se kanë angazhuar futbollistin që ka bërë karrierë në Bosnje, Hungari e Itali, ndërsa presin ndihmë të madhe nga ai në repartin e mesit të fushës.
“Klubi Futbollistik Llapi njofton angazhimin e mesfushorit me përvojë, Drilon Cenaj, i cili do të jetë pjesë e skuadrës sonë për pjesën e mbetur të kampionatit.
27-vjeçari ka një karrierë të pasur ndërkombëtare, duke veshur fanellat e klubeve si FK Sarajevo (Bosnjë e Hercegovinë), Puskás Akadémia FC (Hungari) dhe Chievo Verona (Itali), ndërsa në futbollin kosovar, Cenaj tashmë është i njohur për paraqitjet e tij me Prishtinën, Fushë Kosovën dhe Feronikelin ’74.” — shkroi Llapi në njoftim.
Cenaj i lindur në Gjakovë, i ishte kthyer kampionatit vendor gjatë stinorit 2022/23 për të luajtur për Prishtinën, Fushë Kosovën e Feronikelin’74.