
Trepça fiton derbin në “Karagaç”
Pas një paraqitjeje briliante në çerek të tretë, Trepça ka bërë dallimin e mjaftueshëm për të fituar ndeshjen ndaj Pejës në “Karagaç” për të vazhduar serinë e fitoreve, përkundër se verdhezinjtë në fund të ndeshjes u afruan aq shumë sa që përpak ua rrezikuan fitoren. Në fund, Peja – Trepça 83-85, për të regjistruar mitrovicasit fitoren e shtatë sezonale.
Dardan Kapiti me 16 pikë ka qenë koshashënuesi më i mirë i Trepçës në fitore, ndërsa me nga 13 pikë ndeshjen e kryen Ja’cori Payne dhe Shawn Jones. Ky i fundit kreu lojën me double-double pasi bëri edhe 11 kërcime në fitore.
Pejës me trajnerin e ri Bosko Radovic nuk i ndihmoi as ardhja e re Dominic Artis që dha 26 pikë, bëri 6 asistime e 8 kërcime! Gray Ricks Jr luajti me 16 pikë, ndërsa Xavier Johnson dha 12 të tjera. Dardan Berisha që u zyrtarizua te Peja ditë më parë, nuk ishte në ekip sonte.
Fitorja, bën që Trepça të vazhdojë dramën me Bashkimin e Borën në krye të renditjes, ku të trija bëhen me bilans 7-2. Peja është në 2-7. Kjo seri njërës do t’i përfundojë, pasi që në xhiron e radhës Trepça pret Bashkimin në “Minatori”.
