Fitore historike e Kosovës ndaj Suedisë

Kosova ka shënuar fitore të madhe ndaj Suedisë sonte në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, duke shënuar dy herë në pjesë të parë, pas një paraqitjeje madhështore ndaj vikingëve, për 2-0 përfundimtare.

Elvis Rexhbeçaj (26′) dhe Vedat Muriqi (42′) shënuan për fitoren e Kosovës, kështu që dardanët morrën tre pikët e para në grupin kualifikues për Botëror, duke kaluar në vend të dytë të grupit pas ndeshjeve të shtatorit. Ata gjithashtu me 2-0, zbutën edhe goldallimin.

Kosova asnjëherë nuk ka shënuar fitore ndaj një reprezentacioni kaq të rëndësishëm, ndërsa pas tre ndeshjeve ndaj suedezëve, pos që shënoi për herë të parë, edhe arriti fitore të parë zyrtare.

Një start luftarak i Kosovës që tregoi se djelmoshat e drejtuar nga Franco Foda kanë pasur vetëm një ditë të keqe 3 ditë më parë në Bazel, ndërsa përkundër posedimit të lartë të topit të mysafirëve, daljet e shpejta rezultuan me gola – që edhe sollën fitoren në fund.

Ka qenë së pari Rexhbeçaj që i iku mbrojtjes suedeze për t’ia dhënë epërsinë Kosovës, ndërsa 3 minuta para fundit të pjesës së parë një kombimin, gjithashtu nga kundërsulmi bëri që kapiteni i sotëm, Vedat Muriqi, të gjuajë një raketë në portën e mysafirëve për fitore.

Në pjesë të dytë, rastet nuk munguan, por dardanët nuk arritën të gjinden më së miri para portës mysafire për të thelluar fitoren.

Suedezët në anën tjetër, përkundër ndërrimeve dhe rasteve, hasën në mburojë të fortë të mbrojtjes së ngjeshur dhe jashtëzakonisht të angazhuar të dardanëve, për të mbetur pa pikë nga kjo ndeshje.

Për kujtim, në formacionin startues të Fodës sonte ka qenë Baton Zabërgja. Por ky mori një lëndim pak para ndeshjes dhe nuk ia nisi asaj. Foda zëvendësoi Zabërgjën me mbrojtësin Ilir Krasniqi.

Gjithashtu, Lindon Emërllahu që u fut në lojë në minutën e 84-të, me dy faulime të pamatura, mori dy herë të verdhën për tu përjashtuar nga ndeshja pas vetëm 6 minutave lojë, për ta përfunduar Kosova lojën me 10 lojtarë.

Për herë të parë fanellën e Kosovës e veshi edhe Veldin Hodza, që u fut në lojë në kohën shtesë.

TABELA AKTUALE:

1. Zvicra, 6 pikë (+7)
2. Kosova, 3 pikë (-2)
3. Suedia, 1 pikë (-2)
4. Sllovenia, 1 pikë (-3).

 

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live