
Trajner kanadez te New Basket, që po investon në gjenerata të reja
Një lajm interesant vjen nga Prizreni, derisa ekipi që luan në Ligë të Parë të Kosovës, NewBasket ka angazhuar trajner të huaj për të punuar me talentët e ekipit dhe nxënësit që ndjekin shkollën e basketbollit në fjalë.
Fjala është për trajnerin kanadez DeShawn Montaque. Ai ka ardhur në Prizren për të sjellë zhvillim në ekip dhe sistem energjik te të rinjtë që dëshirojnë të rriten me basketboll cilësor.
Sipas asaj që gjendet në internet, Montaque ka reputacion në punë me të rinjtë në Amerikën Veriore, në D-Lab Pro Training House, Canada Jr Academy dhe të tjera.
Në Kosovë, ai do të punojë si kryetrajner për ekipet e reja të NewBasketit përfshirë grupmoshat U12, U14, U16 dhe U18, me ndihmë edhe te ekipi i parë.
I kënaqur me arritjen në Prizren dhe në Kosovë në përgjithësi, DeShawn Montaque, ka thënë se ka qëllim për të rritur standardin dhe për të ndërtuar aftësi, disiplinë dhe vetëbesim brenda dhe jashtë parketit me lojtarët në dispozicion.
Me këtë ekipi i New Basketit po ndërton një standard të ri basketbollistik, duke sjellë përvoja nga liga tjera për zhvillimin e të rinjve dhe basketbollit prizrenas në përgjithësi.