
Pas humbjes nga ’89shi, Feronikeli’74 largon trajnerin
Humbja nga Trepça’89 është vlerësuar e rëndë nga drejtuesit e Feronikelit’74, ndërsa pos disfatës, ekipi nga Drenasi humbi edhe pozitën e parë në renditje tabelare të Ligës së Parë.
E kjo, iu faturua trajnerit Granit Dervisholli, me të cilin Feronikeli’74 sot edhe zyrtarisht ndau rrugët me marrëveshje, siç u tha në njoftimin e skuadrës gjelbërezi.
“Klubi FC Feronikeli 74 njofton opinionin sportiv dhe tifozët tanë se është arritur marrëveshje e dyanshme për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin e ekipit të parë, z. Granit Dervisholli, si dhe me ndihmës-trajnerin, z. Latif Bytyqi.
Marrëveshja është bërë me mirëkuptim të plotë dhe respekt të ndërsjellë ndërmjet palëve.
Klubi falënderon z. Dervisholli dhe z. Bytyqi për angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së tyre në FC Feronikeli 74, duke iu uruar shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tyre profesionale.” — bëri të ditur njoftimi i klubit në fjalë.
Tani mbetet të shihet se kush do të bëhet timonier i ri i niklit, derisa skuadra do të kërkojë që të kap njërën nga dy vendet e para që sigurojnë rikthimin e klubit në Superligë.