
Pas 11 vitesh, Afrim Tovërlani rimerr drejtimin e Prishtinës
Pas largimit të Arsim Thaqit ndonëse Prishtina për momentin është lidere e Superligës, klubi më i trofeshëm i futbollit kosovar ka zyrtarizuar sot drejtuesin e ri të shtabit teknik.
Në krye të Prishtinës në vazhdim të sezonit do të jetë Afrim Tovërlani, i cili te Prishtina rikthehet pas plot 11 vitesh.
Lajmi u bë i ditur nga klubi kryeqytetas sot.
“Tovërlani më herët e ka udhëhequr FC Prishtinën në dy periudha, 2007–2009 dhe 2012–2014, duke arritur rezultate mbresëlënëse. Gjatë katër viteve në drejtimin e klubit, ai i ka dhuruar Prishtinës 7 trofe, përfshirë titullin e kampionit, Kupën e Kosovës dhe Superkupën, duke u renditur ndër trajnerët më të suksesshëm në historinë moderne të klubit.
Përveç arritjeve si trajner, Afrim Tovërlani ka një histori të pasur edhe si futbollist i FC Prishtinës. Gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta, ai ishte një prej figurave kyçe të skuadrës, madje edhe kapiten për një periudhë të gjatë. Me fanellën bardh e kaltër, Tovërlani ka fituar edhe trofe të rëndësishëm si futbollist, duke kontribuar në periudhat më të lavdishme të klubit.” – shkruan FC Prishtina në webfaqen e saj zyrtare.
“Toki” në klubin kryeqytetas vjen me pritshmëri të larta, me Prishtinën që ndodhet në vendin e parë të renditjes dhe për synim ka rikthimin e titullit kampion, i cili për herë të fundit u fitua në sezonin 2020/2021.
