
Drita fiton goleadën e madhe
Rezultat plotësisht i papritur, derisa Drita dhe Feronikeli’74 treguan spektakël golash për publikun që kishte vendosur të shikonte ndeshjen në tribuna të fushës me bar artifical në Gjilan, e në fund Drita fitoi 4-3 ndaj ekipit të Drenasit, në një goleadë të vërtetë.
Drita mposhti Feronikelin’74 4-3 [Besnik Krasniqi 16′, Eduart Rroca 21′, Blerim Krasniqi 47′, Oniks Grezda 59′ — Albin Prapashtica 2′, Ibrahim Cervadiku 37′, Lorik Dobratiqi 52′], në duel ku nikli mori epërsinë, pastaj reaguan vendasit e me barazim përfundoi pjesa e parë.
Në të dytën, Drita mori epërsinë shpejt dhe pas barazimit të sërishëm, përmes Grezdës siguroi fitoren, duke duruar 30 minutat e fundit të ndeshjes së ekipit tepër kërkues të Elon Berishës, që dëshironte shumë një pikë.
Në fund, fitorja bën që Drita me 27 pikë të largohet pak nga ndjekësit e saj, për të vazhduar ndjekjen e kreut, derisa Feronikeli’74 do të luftojë për secilën pikë për të mbijetuar stinorin në Superligë.
