
Rahoveci 029 përforcohet para ndeshjes së radhës!
Ekipi i Rahovecit 029 ka bërë të ditur mbrëmë se ka angazhuar në ekip edhe një lojtar të huaj. Basketbollisti që pritet të debutojë shpejt te vreshtarët, luan në pozitat 3 dhe 4, dhe është 203cm. i gjatë.
A. J. Patty i është bashkuar Rahovecit, ndërsa më parë ka bërë përvojë evropiane në ekipin austriak Graz dhe atë azer, Sabah. Sipas njoftimit të Rahovecit 029 ai do të jetë i gatshëm që për ndeshjen e mesjavës, xhiroja e së cilës nis nesër, ndërsa ekipi debutues në Superligë takohet me Borën.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se AJ PATTY i është bashkuar ekipit tonë!
Më parë ka qenë pjesë e SABAH BC në Azerbajxhan dhe UBSC GRAZ në Austri.
PATTY do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Borës, këtë të mërkurë në ora 18:45″ — shkroi KB Rahoveci 029 në njoftim.
Rahoveci përndryshe ciklin e parë të ndeshjeve të Superligës e ka kryer mjaft mirë, duke përfunduar në pozitë të pestë të tabelës me bilanc 3-4. Ekipi ka arritur rezultate që pakkush i priste nga ata në start të kampionatit. Por, nën drejtimin e Bujar Locit dhe angazhimit të madh të lojtarëve, vreshtarët pas ciklit të parë të ndeshjeve kanë lënë pas Yllin, Vëllaznimin e Borën.
Debutimi i A. J. Pattyt pritet të bëhet nesër në përballje ndaj Borës, të cilën Rahoveci 029 e luan në “Mizahir Isma”. Si Rahoveci 029 ashtu edhe Bora janë përforcuar me të huaj shtesë para kësaj ndeshjeje.
Te ekipi i Grazit në stinorin e kaluar Patty ka pasur mesatare prej 11.8 pikëve për ndeshje, 0.8 asistimeve dhe 7.5 kërcimeve, ku mesatarisht ka zhvilluar 27.5 minuta për lojë.
