
Ylli zyrtarizon Jeronimo Šarinin si trajner të ri të ekipit
Trajneri kroat 51 vjeçar, Jeronimo Šarin, është zyrtarizuar si trajner i ri i Yllit të Suharekës sot. Ekipi që këtë stinor po feston 50 vjetorin e themelimit të klubit, nuk ia nisi mirë stinorit me grekun Fotis Takianos dhe reagoi shpejtë duke e zëvendësuar atë, ndërsa pas kalimit të xhirove të fundit me Endrit Elshanin si trajner të përkohshëm, ciklit të dytë të ndeshjeve të Superligës i hyn me shibenikasin Šarin, që njeh shumë mirë Superligën e Kosovës!
“Ju prezentojmë trajnerin e ri, Jeronimo Sarin.
Sarin vjen për të sjellë energji të re në parket dhe për t’i dhënë skuadrës një drejtim të fortë drejt objektivave të mëdha të këtij sezoni”, — shkroi KB Ylli në njoftim.
Šarin, për herë të parë në Kosovë si trajner kishte ardhur në stinorin 2016/17 kur drejtoi Prishtinën. Më pas, në vitin 2019 erdhi te Bashkimi, e pas tij mori timonin e Pejës dhe prej stinorit të kaluar 2024/25 ishte te Vëllaznimi.
Te ekipi gjakovar, ai fitoi trofe, duke e fituar Ligën Unike me kuqezinjtë, pas shumë vitesh. Vëllaznimi që nisi stinorin me Šarinin ciklin e parë e kreu njëjtë si Ylli, me bilanc 1-6.
Mesazhi i ndarjes nga Jeronimo Šarin
“Së pari, ju falenderoj nga thellësia e zemrës sime. Secilit lojtar, stafit dhe qytetarëve të Gjakovës. Ishte kënaqësi të punojë e të jetoj me ju. Ju falemnderit për thirrje dhe mesazhe të panumërta dhe për secilën pikë loti që e derdhni pas largimit tim nga Gjakova.
Mund t’i keni dhjetëra vendbanime në botë, por t’i keni dy shtëpi është e pamundur. E kam një shtëpi në qytetin tim të lindjes, Sibenik dhe asnjëherë në jetë nuk e kam menduar që do ta kem edhe një tjetër. Gjakova e bëri të pamundurën të mundur.” — shkroi Jeronimo Šarin, ndër të tjera në llogarinë e tij të Facebookut pas ndarjes me ekipin gjakovar.

