
Arlind Veliu (Malisheva) – Ylli i javës (16)
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e gjashtëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Arlind Veliu, i cili pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 90 minutave të ndeshjes. Ndonëse mbrojtës, ai ka shënuar dy gola, duke qenë vendimtar në fitoren e skuadrës së tij kundër FC Drenica, e cila përfundoi me rezultat 2:0.

Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pasi mori këtë çmim, Veliu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Nuk e kemi nisur kampionatin në mënyrën më të mirë, por megjithatë me trajnerin e ri po mundohemi të përmirësojmë lojën dhe të kuptojmë filozofinë e tij. Ambiciet tona janë tre vendet e para të tabelës dhe dalja në Evropë.
E kemi ditur që kemi pasur një ndeshje të vështirë kundër Drenicës dhe mendoj se ia kemi dalë ta përgatisim mirë dhe të shënojmë fitore.
Në aspektin personal, gëzohem që kam mundur të ndihmoj ekipin me dy gola dhe për këtë i falënderoj bashkëlojtarët e mi për angazhimin.” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
