
Llapi zyrtarizon shitjen e Tahirit, mban 25% të kartonit
Sulmuesi i Llapit, Ardit Tahiri, edhe zyrtarisht tashmë është pjesë e ekipit ukrainas Kolos Kovalivka. Njoftimin e publikoi sot në mëngjes KF Llapi, në web-faqen zyrtare të klubit, ndërsa ka bërë të ditur se oferta financiare e ekipit ukrainas ka qenë e kënaqshme për klubin.
Ndër të tjera, podujevasit kanë shkruar se do të mbajnë 25% të pronësisë së lojtarit, si pjesë të marrëveshjes për një transfer të ardhshëm të mundshëm të sulmuesit 23 vjeçar.

Transfermarkt ka shkruar se shuma që ka paguar Kolosi ka qenë 100 mijë euro, ndërsa Tahiri para se të ishte pjesë e Llapit kaloi një gjysmëstinor si huazim në HJK Helsinki, ndërsa luajti edhe për Dritën e Besën e Pejës më parë.
“KF Llapi njofton opinionin publik dhe tifozët se ka arritur marrëveshje me klubin Kolos Kovalivka për transferimin e futbollistit Ardit Tahiri.
Marrëveshja e arritur mes dy klubeve është e favorshme për KF Llapi edhe në aspektin financiar, ndërsa klubi ynë do të mbajë 25% të kartonit të lojtarit, si pjesë e marrëveshjes për një transferim të ardhshëm të mundshëm.
Ardit Tahiri ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të ekipit tonë në Superligën e Kosovës, duke u renditur në top 10-shen e golashënuesve më të mirë në historinë e klubit në elitë. Gjatë paraqitjeve të tij me fanellën bardhekaltër, Tahiri ka zhvilluar 44 ndeshje zyrtare, në të cilat ka realizuar 19 gola dhe ka kontribuar me 4 asistime.
Në pjesën vjeshtore të sezonit aktual, futbollisti ishte i huazuar te klubi HJK Helsinki, ku fitoi përvojë të rëndësishme ndërkombëtare.
KF Llapi e falënderon Ardit Tahirin për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë kohës sa ishte pjesë e klubit dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale.” — shkroi KF Llapi në njoftim.
