
Manchester United fiton derbin e madh ndaj Arsenalit në “Emirates”
Një fitore e madhe e radhës për Manchester Unitedin ka ardhur sot, derisa “djajt e kuq” kanë shënuar fitore ndaj Arsenalit lider në “Emirates” duke u shënuar tre gola atyre, për fitoren 2-3.
Ka qenë zëvendësuesi Matheus Cunha që ka shënuar gol të jashtëzakonshëm për të lënë pa gjasa David Rayën (87′), për t’ia sjellë fitoren ekipit të Michael Carrickut. Goli i brazilianit erdhi vetëm tre minuta pasi që Arsenal kishte barazuar rezultatin në 2-2 përmes Mikel Merinos (84′).
Dueli nisi më mirë për vendasit, që arritën golin pas dominimit përmes një prekjeje të gabuar të Lisandro Martinezit (ag. 29′). Por, Manchester United nuk u ndalë dhe duke bërë presion në secilin cep të fushës detyroi gabimin e Zubimendit, të cilën e shfrytëzoi maksimalisht Bryan Mbeumo (37′). Ky i fundit tashmë me tu kthyer nga Kupa e Kombeve afrikane ka shënuar dy herë në dy derbi të mëdha (në xhiron e kaluar shënoi në fitore ndaj Manchester Cityt).
Epërsia e Manchester Unitedit erdhi në minutën e 51-të të ndeshjes, kur Patrick Dorgu pas një kombinimi me Bruno Fernandesin shënoi gol spektular për epërsinë, 1-2.
Mikel Arteta reagoi me 4 ndërrime në minutën e 58-të të ndeshjes, njëri prej të cilëve edhe barazoi në 2-2, por United pas eprësisë 2-3 nuk lejoi edhe një barazim në lojë dhe pas 7 minutave shtesë festuan me të madhe në terrenin e “Emirates”.
Kjo është humbja e parë e Arsenalit këtë vit, ndërkaq mbetet lider me 50 pikë nga 23 ndeshje. Manchester United ka kërcyer në pozitë të katërt me këtë fitore duke arritur në kuotën e 38 pikëve. Përndryshe, kjo ka qenë disfata e parë e Arsenalit këtë stinor në shtëpi dhe tashmë si ekip i vetëm i pamposhtur në shtëpi në Premier Ligë ka mbetur Sunderland!
