Logan Routt – përforcim i ri i Pejës!

Kriza e rezultateve ka bërë që kryesia e skuadrës të reagojë dhe tashmë Peja ka zyrtarizuar një përforcim për pjesën e mbetur të stinorit 2025/26. Pas rezultateve jo të mira, verdhezinjtë kanë vendosur që të shtojnë në ekip një qendër me përvojë, ndërsa Logan Routt është lojtar i ri i skuadrës nga “Karagaçi”.

“Logan Routt, transferimi i ri i GO+ Peja!
GO+ Peja njofton për transferimin e 29-vjeçarit Logan Routt, basketbollist i pozitës qendër, i gjatë 211 cm.
Routt ka ndërtuar karrierë në Amerikë, Slloveni, Çeki e Turqi, kurse në Pejë vjen pas aventurës me Finalspor në Turqi, ku luajti me mesatare prej 12.5 pikë dhe 7.7 kërcime për ndeshje.
29-vjeçari i bashkohet skuadrës tonë menjëherë, dhe do jetë ndihmë shtesë në pjesën finale të sezonit.” — shkroi KB Peja në njoftim.

Peja, që javë më parë ndërroi trajnerin Greg Gibson me Damir Malicicin, me këtë të fundit nuk ka përjetuar fitore! Për të shkuar gjërat më keq, “shqiponjat e Karagaçit” janë përjashtuar nga ENBL, janë gjobitur me 25 mijë euro, ndërkaq skuadra pas ciklit të parë të ndeshjeve thuajse perfekt në Superligë me 6-1, tash janë në bilanc 8-9 që tregon mjaft për gjendjen e skuadrës me të nisur cikli i dytë dhe tashmë edhe i treti.

Përndryshe Routt prej stinorit 2020/21 është pjesë e ekipeve të basketbollit evropian, ku pas një stinori të kaluar te Laskoja sllovene, ai kaloi në kategorinë e dytë të basketbollit turk duke luajtur për Akhisarin, pastaj kaloi te Finalspor i Bursës.

Këtë stinor me ekipin e Finalsporit, Routt ka pasur mesatarisht 23.5 minuta për ndeshje, ku ka shënuar 11.5 pikë për lojë, 1.3 asistime dhe 7.9 kërcime për ndeshje.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live