
Shorti i playoffit të Ligës së Kampionëve, rregullat, datat
Pas gromësimës futbollistike mbrëmë në kuadër të Ligës së Kampionëve, ku prej 18 ndeshjeve të zhvilluara në të njëjtën kohë, drama dhe festa më e madhe u bë “da Luz” të Lisbonës, tani skuadrat që siguruan playoffin në Ligë të Kampionëve, bëhen gati për short.
Të gjitha ekipet që përfunduan prej pozitës së nëntë deri në pozitën e 24-të, do të jenë në short, për fazën e playoffit, ku me ndeshje vajtje-ardhje do të kërkojnë të tetën e finales së garës. E aty, i presin tetëshja e parë e Ligës së Kampionëve, që këtë stinor përbëhet nga pesë ekipe angleze.
Data dhe ora e shortit për playoff të Ligës së Kampionëve 25/26
Shorti për fazën e playoffit do të mbahet në Nyon të Zvicrës, ndërsa do të fillojë prej orës 12.00, të premten e 30 janarit. Skudrat përafërsisht do ta kenë të qartë kë do ta kenë kundërshtar, ndërsa shorti do të përcaktojë saktë rivalin, por edhe rrugëtimin e këtyre skuadrave në finale, duke përcaktuar në cilën anë të rrugëtimit shkojnë sipas shortit.
Bartësit dhe jobartësit në short
Kështu, sipas renditjes përfundimtare të vendeve prej pozitës së nëntë deri në pozitën e 24-të, ekipet deri në pozitën e 16-të do të jenë bartëse, kurse ato poshtë tyre jobartëse.
Ekipet bartëse në short:
9. Real Madrid (ESP)
10. Inter (ITA)
11. Paris (FRA)
12. Newcastle (ENG)
13. Juventus (ITA)
14. Atleti (ESP)
15. Atalanta (ITA)
16. Leverkusen (GER).
Ekipet jobartëse në short:
17. B. Dortmund (GER)
18. Olympiacos (GRE)
19. Club Brugge (BEL)
20. Galatasaray (TUR)
21. Monaco (FRA)
22. Qarabağ (AZE)
23. Bodø/Glimt (NOR)
24. Benfica (POR).

Si shembull, ekipi i nëntë do të ndeshet me njërin nga pozitat 23 ose 24 në playoff. I dhjeti në renditje, për kundërshtar do ta ketë tjetrin nga pozitat 23 ose 24.
Në përgjithësi, ekipet 9 ose 10, ndeshen me 23 ose 24, 11 ose 12 ndeshen me 21 ose 22, 13 ose 14 ndeshen me 19 ose 20, dhe 15 ose 16 ndeshen me 17 ose 18.
Rregullat bazë të shortit
Sipas rregullave, mund të ballafaqohen dy skuadra të të njëjtit shtet. Pra, mundësia aktuale është që Bayer Leverkusen të përballet me Borussia Dortmundin (nëse do shorti). Gjithashtu, nuk ka ndalesa që të takohet një ekip kundër njërit të cilit ka zhvilluar ndeshje në fazën grupore. Pra, edhe këtu Real Madrid mund të përballet përsëri me Benficën, në fazën e playoffit.
Pas shortit, duelet e para të sistemit vajtje-ardhje në playoff do të luhen më 17 dhe 18 shkurt, kurse ato të kthimit më 24 dhe 25 shkurt, kur do të kuptohen cilat skuadra do të sigurojnë të tetën e finales së Ligës së Kampionëve 2025/26 dhe do të shkojnë në short ndaj tetëshes së parë që mbrëmë rehatoi veten.
Ekipet që shkuan direkt në 1/8 e finales:
1. Arsenal (ENG)
2. Bayern (GER)
3. Liverpool (ENG)
4. Tottenham (ENG)
5. Barcelona (ESP)
6. Chelsea (ENG)
7. Sporting (POR)
8. Manchester City (ENG).
Shorti përfundimtar, deri në finale
E më 27 shkurt, hidhet shorti për të tetën e finales dhe rrugëtimi deri në finale përcaktohet përfundimisht, ku skuadrat do t’i kenë përpara të gjithë kundërshtarët potencial deri në finalen e madhe të Budapestit. Duelet e se tetës së finales luhen më 10/11 mars dhe 17/18 mars. Ato të çerekfinales më 7/8 dhe 14/15 prill. Gjysmëfinalet më 28/29 prill dhe 5/6 maj, ndërsa finalja e madhe më 30 maj 2026.
