
Fitore e lehtë e Bashkimit ndaj Prishtinës
Ndër fitoret më të lehta të stinorit mund të llogaritet kjo për Bashkimin ndaj Prishtinës rekord-kampione të Kosovës që s’është në formë të mirë këtë stinor.
Prizrenasit kanë shfrytëzuar maksimalisht krizën e kryeqytetasve dhe kanë shënuar fitore me 21 pikë dallim, pa rrezikuar asnjëherë atë. Starti i fuqishëm i ndeshjes i ka mundësuar këtë portokallezinjëve ndërsa në pjesë të dytë ata menaxhuan lojën mirë për të arritur te fitorja, 84-63 [21-12, 19-15, 25-12, 19-21].
TABELA AKTUALE E SUPERLIGES
Shannon Shorter dha 24 pikë, 3 asistime e 5 kërcime, ndërsa Ike Nwamu 21 pikë, 2 asistim e 2 kërcime në fitoren e ekipit të Bashkimit. 11 pikë e 4 kërcime i bëri Lejson Zeqiri, ndërkaq trajneri Igor Jovovic i dha mundësi thuajse të gjithë lojtarëve në bankë që të shijojnë ndeshjen.

Te Prishtina, e shkurtër në bankë, dyshja Elijah Clarence dhe Kahlil Dukes ishin më efikasit. Të dy dhanë nga 17 pikë, ndërsa i pari bëri 5 asistime e 3 kërcime në llogari të tijën gjithashtu. Lojtarët tjerë nuk e arritën dyshifrorin e pikëve.
Bashkimi me këtë fitore është i sigurt në pozitën e dytë, ndërsa bën bilancin 12-6 momentalisht. Prishtina vazhdon me bilanc negativ, tani më me humbjen e dhjetë sezonale, 8-10.
