
Fshesë te Peja, ndajnë rrugët me 2 basketbollistë dhe ndihmës-trajnerin!
Lajmi fundit vjen nga Peja, ndërsa ekipi verdhezi që mbrëmë shënoi fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit kroat Damir Milacic ka ndarë rrugët me 2 basketbollistë të skuadrës dhe ndihmës-trajnerin amerikan që e kishin në ekip.
“Shqiponjat e Karagaçit” që mbrëmë mposhtën Rahovecin 029, për të ndërprerë serinë prej 5 humbjeve në Superligë kanë bërë të ditur se kanë ndarë rrugët me Skyler Flatten, Jordan Johnson dhe ndihmës-trajnerin Mike Girling.
TABELA AKTUALE E SUPERLIGES
“GO+ Peja njofton se me marrëveshje të dyanshme, ka ndërprerë bashkëpunimin me:
• Skyler Flatten
• Jordan Johnson
• Mike Girling
Falenderojmë të tre për kontributin gjatë këtyre muajve, duke iu uruar sukses në etapat e ardhshme të karrierës.
Ditëve në vijim, GO+ Peja do vij me njoftime të tjera.” — shkroi njoftimi i KB Peja, lëshuar rreth orës 15.00 sot.
Përndryshe, në fitoren e mbrëmshme ndaj Rahovecit 029 as Flatten e as Johnson nuk kanë qenë pjesë e ekipit të verdhezinjëve në lojë.
Pas një starti pothuaj perfekt të Superligës, ku ciklin e parë e kryen me bilanc 6-1, Peja ra në krizë të rezultateve dhe tash është në bilanc 9-9! Verdhezinjtë kanë hasur në reagime të shumta edhe të tifozërisë së klubit gjatë janarit dhe klubi ka paralajmëruar se do të merr veprime për të përmirësuar si lojën ashtu edhe cilësinë e lojtarëve të huaj në ekip.
