
Liria pësoi përsëri në derbi, Statovci mbanë Vushtrrinë lidere
Liria ka pësuar disfatën e parë në Ligë të Parë nën drejtimin e Ismet Munishit, ndërsa ekipit të Lirisë humbjen ia solli liderja e Ligës së Parë, Vushtrria, që përmes një goli të Urim Statovcit, siguroi fitoren minimale për mysafirët në “Përparim Thaçin” ku ishin mbledhur mbi 5 mijë shikues në një ditë ideale për ndeshje futbolli.
Vetëm katër xhiro më parë, Liria po pësonte në derbi ndaj Trepçës’89 në “Përparim Thaçi”. Sot, derbi i radhës – liderja Vushtrria në Prizren, ndërsa Liria përsëri në fund, pësoi.
Në fakt, Liria kishte avancuar përmes golit të Dijar Nikqit, por referi anuloi golin pasi që u ftua nga VAR, për shkak të një tërheqjeje që dukej e lehtë. Sidoqoftë, ndeshja vazhdoi dhe në pjesë të dytë një shut i Daut Maxhunit u devijua nga qendërsulmuesi Urim Statovci – që në fund doli të jetë gol i fitores, Liria – Vushtrria 0-1 [Urim Statovci 61′].
TABELA AKTUALE E LIGES SE PARE
Me këtë, raste konkrete më nuk u panë, pos një goditjeje të Theo Solomonit drejt portës kundërshtare, ndërkaq në fund, mysafirët u ndanë me tri pikë të plota nga Prizreni.
Sa i përket lojës, Liria e dominoi plotësisht pjesën e parë, ndërsa njëjtë vazhdoi edhe në të dytën, veçanërisht pas pranimit të golit. Por, ekipi i Munishit assesi të krijonte raste për gol. Vushtrria pas golit të shënuar u koncentrua plotësisht në kundërsulme potenciale dhe me disa “zhagitje” shtesë, siguroi fitoren në fund.
Pas kësaj xhiroje, Vushtrria ka 50 pikë dhe është në vend të parë. Ndërkaq Liria bie në pozitë të gjashtë të tabelës dhe mbetet në 45 pikë, pas disfatës së katërt sezonale të pësuar.
