
Të premten nis seria finale – për Superligë
Dy skuadrat më të mira të stinorit në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll, tani janë në luftë për qëllimin kryesor. ProtonCable Prizreni është duke kërkuar rikthimin në elitë të basketbollit kosovar, ndërsa përballë do ta ketë Dritën, që ka qëllimin e njëjtë.
Derisa Prizreni dominoi përgjatë stinorit të rregullt me bilanc 15-1, Drita u këndell në pjesë të dytë të stinorit kur u përmirësua dukshëm dhe siguroi që përmes pozitës së tretë në stinorin e rregullt me bilanc 10-6 të arrijë në playoff.
Shiko si dukej: TABELA E STINORIT TË RREGULLT
Prizreni kaloi Istogun, ndërsa Drita NewBasketin në gjysmëfinale të playoffit, ndërsa tani skuadrat në fjalë po kërkojnë të realizojnë qëllimin e madh të tyre.
E dueli i parë i serisë finale, që shkon deri në dy fitore, luhet në “Sezai Surroi” pasi që ata kanë përparësinë e terrenit vendas, ndërsa ndeshja nis prej orës 16.00 të premten më 17 prill. Seria pastaj shkon në Gjilan, e nëse rezultati është i barabartë në 1-1, atëherë finalja e madhe që siguron biletën për Superligë, do të luhet përsëri në Prizren.
