Rikthimi në Superligë, KB Drita para situatës së re

Nuk e nisën mirë stinorin 2025/26 në Ligë të Parë dhe nuk është që kishin ndonjë qëllim të madh. Ndoshta për të arritur playoffin pa ndonjë ambicie shtesë, por edhe për të mbijetuar sigurt në Ligë të Parë.

Por, pas një mobilizimi të dukshëm në ekip gjatë gjysmëstinorit KB Drita u bë ekip i pandalshëm në Ligë të Parë dhe nisi të rreshtojë fitoret për tu ngritur nga 3-5 në bilans e për ta përfunduar stinorin e rregullt në bilansin 10-6 në pozitë të tretë dhe sigurimit të çerekfinales së playoffit.

Kaluan lehtë Gjakovën në çerekfinale me 2-0 duke fituar thellë dy ndeshjet, ndërsa në gjysmëfinale në mënyrë të njëjtë kaluan edhe New Basketin e Prizrenit. Erdhi finalja ndaj ekipit më të përgatitur në Ligë dhe fituesit të stinorit të rregullt, Proton Cable Prizreni që kishte mbyllë stinorin e rregullt me 15-1.

TABELA PËRFUNDIMTARE E STINORIT TË RREGULLT LIGA E PARË 25/26

Nuk u stepën dhe vazhduan, ndonëse shumë më vështirë gjilanasit arritën fitore në “Sezai Surroi” për ta rrëmbyer epërsinë e terrenit vendas me 0-1. Ndërsa në ndeshjen e dytë krejt në fund të duelit me pikët e Eris Zenelit fituan ndeshjen mbrëmë 92-91 për të siguruar triumfin në serinë finale 2-0.

Kampionë të Ligës së Parë dhe sigurimi i biletës për Superligë në stinorin e ardhshëm 2026/27. Por, tani Drita është para një realiteti të ri. Herën e fundit kur ishin në Superligë në stinorin 2021/22 kaluan keq. Asnjë fitore përgjatë gjithë stinorit për të mbyllur atë me bilans 0-28 dhe për t’iu rikthyer Ligës së Parë.

TABELA PËRFUNDIMTARE E STINORIT 2021/22, SUPERLIGA ME DRITËN

Mbetet të shihet se si do të jetë vera në kryesinë e bardhekaltërve dhe a do të kapin seriozisht stinorin e radhës në Superligë, ku nëse kihet parasysh stinori aktual i elitës – duhet punë e madhe. E se a do t’ia arrijnë këtë mbetet të shihet gjatë periudhës 2026/27, derisa Superliga nuk lejon befasi të mëdha e për seriozitet të ekipit, puna duhet t’ia nis që këtë verë. (fotot: FBK).

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live