
Bora shton përvojë vendore nën kosh!
Bora dje zyrtarizoi disa lojtarë të ri në ekip dhe vazhdime. Por, skuadra prishtinase që përjetoi stinor të rekordeve në vitin e dytë të tyre në Superligë 2025/26 tashmë duket se po bëhet gati fuqishëm për stinorin 2026/27.
Kështu, pas zyrtarizimit të disa lojtarëve dje, sot ka bërë të ditur se skuadra ka angazhuar në radhët e saja edhe veteranin e basketbollit të Kosovës që u jep përvojë nën kosh, Fisnik Rugova.

Rugova 35 vjeç, 207cm. i gjatë në stinorin e kaluar ka qenë pjesë e Rahovecit 029, me të cilët mbijetoi në Superligë. Aty prishtinasi ka qenë pjesë e pandashme e ekipit të parë, duke qenë se mesatarisht ka luajtur për 32.4 minuta për ndeshje në Superligë, ku ka shënuar 8.3 pikë, 1.7 asistime dhe 6.5 kërcime – për ndeshje.
Gjithashtu, ekipi në mëngjes të sotëm bëri të ditur se ka vazhduar marrëveshjen me pejanin Rron Ukaj (26), i cili pritet të shtojë kontributin në ekip këtë stinor, pasi që në edicionin e kaluar të garave ka luajtur mesatarisht 18.9 minuta për ndeshje, duke dhënë 5.2 pikë, 0.5 asistime dhe 4.4 kërcime – për ndeshje.

