
Pasi shkëlqeu te Liria, Dijar Nikqi zyrtarizohet te Ballkani
Tri herë kampioni i Kosovës, Ballkani, ka zyrtarizuar sot atë që pritej qe disa ditë. Qendërsulmuesi i dalluar i Lirisë, Dijar Nikqi, është tash e tutje pjesë e Ballkanit, ndërsa futbollisti në fjalë ka nënshkruar marrëveshjen me ekipin suharekas.
“Sulmuesi 21 vjeçar, Dijar Nikqi, është përforcimi më i ri i skuadrës sonë.
Ai luan në pozitën e qendërsulmuesit dhe ka qenë pjesë e klubeve si Tirana, Teuta, Vora dhe së fundmi Liria. Gjithashtu ka përfaqësuar Shqipërinë me kombëtaren U21.
Mirë se erdhe në familjen tonë, Dijar! Të urojmë shumë suksese dhe sa më shumë gola me fanellën e klubit.” — shkroi FC Ballkani në njoftim.
I lindur në Pejë në vitin 2004, Nikqi 185cm. i gjatë është një qendërsulmues klasik, ndërsa në stinorin e kaluar ka shënuar 16 gola për Lirinë, duke u bërë kështu golashënuesi i katërt më i mirë i Ligës së Parë në 2025/26 me dy gola më pak sesa Drin Ymeri që u bë golashënuesi më i mirë i stinorit në këtë kategori.
