
Vëllaznimi shtoi edhe 3 të huaj në ekip
Pas sigurimit të shërbimeve të Kentrell Pullianit, KB Vëllaznimi nuk është ndalur dhe gjatë dy ditëve të kaluara ka zyrtarizuar edhe tri lojtarë të huaj në ekip për stinorin 2026/27.
Kështu, kuqezinjtë së pari zyrtarizuan DJ Davis që vjen prej ekipit gjeorgjian Margveti.
“KB Vëllaznimi njofton me kënaqësi se ka siguruar shërbimet e amerikanit DJ Davis, i cili pritet të jetë një prej opsioneve kryesore të skuadrës.
Davis është 25-vjeçar, 1.85 centimetra i gjatë dhe luan në pozita të ndryshme, si organizator por edhe shuter. Ai vjen në Gjakovë pas sezonit të parë profesional në Evropë, të cilin e zhvilloi në Gjeorgji, me Margvetin, në Superligën gjeorgjiane.
Në sezonin 2025/26, Davis ishte ndër lojtarët më produktivë të Margvetit, duke regjistruar rreth 18 pikë, 3.1 kërcime dhe 2.7 asistime për ndeshje në kampionat. Ai gjithashtu shkëlqeu në gjuajtjet për tri pikë, duke fituar edhe garën e tresheve dhe duke u përzgjedhur në All-Star.
Para kalimit në Evropë, amerikani ndërtoi karrierën universitare në NCAA, ku luajti për UC Irvine, Butler dhe Washington. Me UC Irvine u përzgjodh në All-Big West në vitin 2023, ndërsa karrierën universitare e mbylli me 143 ndeshje të zhvilluara.” — shkroi KB Vëllaznimi për Davisin.
Pas tij, u zyrtarizua Vance Jackson. Ky është një lojtar që mund të luajë në pozitat 4-5 dhe pritet t’i sjellë Vëllaznimit forcë nën kosh.
“Vance Jackson, 28-vjeçar dhe 2.06 centimetra i gjatë, luan në pozitat 4-5 dhe sjell me vete përvojë nga NCAA, NBA G League dhe disa liga profesionale jashtë SHBA-së.
Jackson ka luajtur në NCAA për UConn, New Mexico, Arkansas dhe East Carolina. Në sezonin e fundit me East Carolina regjistroi 13.1 pikë, 6 kërcime dhe 1.2 asistime për ndeshje.
Në basketbollin profesionist ka qenë pjesë e NBA G League, ndërsa ka luajtur edhe në Zelandën e Re me ëhai, ku shënoi 17.7 pikë dhe 5.5 kërcime për ndeshje. Më pas ishte pjesë e Halcones de Ciudad Obregón në Meksikë, ndërsa në Kanada ka veshur fanellën e Raptors 905.
Në sezonin 2025/26, Jackson luajti në G League me Maine Celtics dhe San Diego Clippers.
Një profil fizik dhe me përvojë ndërkombëtare që i shtohet skuadrës kuqezi.” — bëri të ditur KB Vëllaznimi për Jacksonin.
E së fundi, mbrëmë gjakovarët zyrtarizuan edhe Emmanuel Tshimangën, i cili është qendër klasike. Së fundi, ky ka qenë pjesë e ekipit australian, Sea Eagles në NBL-1-East me mesatare double-double.
“Kemi siguruar shërbimet e qendrës kanadeze Emmanuel Tshimanga. 25-vjeçari, luan në pozitën 5 dhe ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës universitare në SHBA, ku ka qenë pjesë e UC Irvine, UC San Diego dhe New Mexico State.
Në vitin 2026, Tshimanga luajti në Australi me Manly Warringah Sea Eagles në NBL1 East, ku u dallua sidomos në kërcime, derisa mesatarja e tij ishte double-double: 12.6 pikë e 11.9 kërcime për ndeshje
Një qendër tejet dominuese me 2.13 centimetrat e tij, i shtohet grupit të lojtarëve të rinj të Vëllaznimit për sezonin e ardhshëm.” — shkroi KB Vëllaznimi për gjigandin 213cm. të gjatë.
Përndryshe, KB Vëllaznimi ka nisur stërvitjet për stinorin e ri nën drejtimin e trajnerit verimaqedonas Aleksandar Jonvcheski. Ndërsa në shortin e FBK-së për xhirot e para të stinorit, që u hodh dje në Federatë, kuqezinjtë kanë mësuar se kundërshtari i parë i tyre në stinorin e ri do të jetë KB Bora.
