Ish-lojtari i Rahovecit 029, zyrtarisht te Vëllaznimi

Basketbollisti amerikan, që në stinorin e kaluar mbajti në lojë Rahovecin 029 përgjatë stinorit dhe doli të jetë ndër më të rëndësishmit e ekipit në mbijetesën e tyre në stinorin debutues në Superligë, Kentrell Pullian, është zyrtarizuar dje si lojtar i ri i Vëllaznimit.

Vëllaznimi ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me Pullianin 24 vjeçar, i cili është 183cm. i gjatë dhe luan në pozitën e organizatorit të lojës.

Pullian te Rahoveci 029 ka qenë i pranishëm në secilën ndeshje të stinorit të kaluar, ku ka pasur mesatarisht 32.7 minuta për ndeshje. Në ato 28 duele të Superligës, ai ka pasur mesatare prej 16.8 pikësh, 5.3 asistimesh dhe 5 kërcimesh për ndeshje.

“KB Vëllaznimi ka siguruar shërbimet e basketbollistit amerikan Kentrell Pullian, i cili do ta bartë fanellën kuq e zi në edicionin e ri.
Pullian është 24-vjeçar i gjatë 1.83 cm dhe luan në pozitën e organizatorit. Amerikani vjen në Gjakovë pas karrierës universitare në SHBA, ku ka luajtur për Eastern New Mexico dhe Milwaukee Panthers.
Në edicionin e kaluar, lojtari luajti në Superligën e Kosovës me Rahovecin dhe ishte nga më të suksesshmit në ligë.
Me eksperiencën e fituar në NCAA Division I, si dhe në Kosovë, Pullian tani nis aventurën e tij të re në basketbollin tonë, duke iu bashkuar Vëllaznimit për edicionin 2026/27.” — bëri të ditur KB Vëllaznimi në njoftim, duke mos përmendur fare statistikat e basketbollistit.

Kujtojmë, në stinorin e kaluar Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi çuan rivalitet deri në fund në luftë për mbijetesë dhe vreshtarët shpëtuan, ndërkohë kuqezinjtë ranë nga liga. Sidoqoftë, falë kushteve jo të mira të KB Dritës kampione të Ligës së Parë, vendi në Superligë mbeti i zbrazët dhe Vëllaznimi u rikthye aty falë WildCardit të lëshuar nga FBK-ja, gjë të cilën asnjë ekip tjetër nuk e plotësoi.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live