
Kosova mbyll Ligën e Kombeve me humbje të rëndë në Dublin
Një gabim në minutat e para dhe fund jo i mirë i kampanjës. Kosova humbi 3:0 ndaj Irlandës, duke mbetur në vendin e tretë në grupin e Ligës së Kombeve. Kartoni i kuq i Hajrizit prishi planet e lojës.
Mbrojtësi Kreshnik Hajrizi u bë protagonist negativ në ndeshjen vendimtare të zhvilluar të martën mbrëma në Dublin. Në minutën e 26-të, ai ndali topin me dorë në vijë të portës, duke shkaktuar penalltinë dhe duke u ndëshkuar me karton të kuq, pasi që portieri Aro Muric kishte dalë keq në krosim. Troy Parrott shënoi nga pika e bardhë (28’), duke i dhënë epërsinë Irlandës.
Megjithëse ‘Dardanët’ e nisën mirë ndeshjen përmes Emërllahut e Muriqit, ky moment e ndryshoi rrjedhën e lojës. Në pjesën e dytë, Irlanda thelloi epërsinë me një tjetër penallti të Parrott (50’) dhe një gol me kokë të Jack Moylan (75’).
Çfarë thotë tabela?
Austria fitoi grupin (12 pikë) dhe ngjitet lart.
Irlanda e mbyll e dyta (8 pikë) dhe shkon në plejof për Ligën A, duke siguruar gjithashtu vazon e dytë për kualifikimet e Euro 2028.
Kosova mbetet e treta (6 pikë) dhe siguron qëndrimin në Ligën B, por bie në vazon e tretë për shortin e Euro 2028 që tërhiqet më 6 dhjetor.
Për më tepër, Kosova i shpëtoi rrezikut të rënies në vendin e katërt falë barazimit 1:1 mes Austrisë dhe Izraelit. Përzgjedhësi Franco Foda dhe skuadra mbyllin kështu një kampanjë sfiduese, ku objektivi minimal i mbetjes në Ligën B u arrit.
Si shkroi FFK?
Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur edicionin e pestë të Ligës së Kombeve, teksa pësoi humbje 3:0 nga Irlanda, në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në Dublin.
Momenti vendimtar i ndeshjes ndodhi në minutën e 26-të, kur Kreshnik Hajrizi ndali topin me dorë në vijën e portës, duke shkaktuar penallti dhe duke u ndëshkuar me karton të kuq. Nga pika e bardhë, Troy Parrott ishte i saktë në minutën e 28-të, duke i dhënë epërsinë Irlandës.
Pavarësisht disavantazhit numerik, Dardanët u përpoqën të qëndronin në lojë, por Irlanda e shfrytëzoi epërsinë e një lojtari më shumë. Në minutën e 50-të, pas një penalltie të shkaktuar nga portieri Aro Muric, Parrott realizoi sërish për 2:0.
Rezultatin përfundimtar 3:0 e vulosi Jack Moylan në minutën e 75-të, me një goditje të saktë me kokë.
Kosova e nisi ndeshjen me qasje sulmuese, duke krijuar rrezik përmes Lindon Emërllahut dhe Vedat Muriqit, por përjashtimi i Hajrizit ndryshoi rrjedhën e takimit.
Me këtë rezultat, Kosova e përfundon Grupin B3 në pozitën e tretë me gjashtë pikë dhe siguron qëndrimin në Ligën B edhe për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Austria e fitoi grupin me 12 pikë, Irlanda përfundoi e dyta me tetë, Kosova e treta me gjashtë, ndërsa Izraeli i fundit me katër pikë.
Kosova do të jetë në vazon e tretë për shortin e kualifikimeve, i cili do të tërhiqet më 6 dhjetor.
