
Teknikë, shpejtësi dhe individualitet
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka vlerësuar cilësitë e Izraelit në prag të përballjes së së enjtes në Debrecen, por ka bërë të qartë se Dardanët kanë udhëtuar drejt kësaj ndeshjeje me synim të qartë për fitore.
Në konferencën për media një ditë para ndeshjes Izrael–Kosovë, Foda ka folur me respekt për kundërshtarin, duke veçuar cilësitë teknike dhe individuale të futbollistëve izraelitë.
Çka tha Franco Foda para ndeshjes?
“Izraeli është një kombëtare e fortë dhe pavarësisht rezultateve, e ka treguar në dy ndeshjet e fundit. Ka futbollistë që janë shumë të mirë në aspektin teknik, janë shumë të shpejtë dhe ka lojtarë të fortë individualë. Presim ndeshje të fortë, por sigurisht që edhe ne do të mundohemi të jemi sa më agresivë që mundemi në këtë përballje”, ka thënë Foda.
Ai ka folur edhe për gjendjen e portierit Arijanet Muriq, i cili pësoi lëndim në ndeshjen e fundit ndaj Austrisë në Vjenë.
“Ai ka pësuar një lëndim në ndeshjen ndaj Austrisë. Ka munguar pas asaj ndeshjeje në stërvitje por do të shohim sonte nëse do të jetë gati për nesër apo jo”, ka bërë të ditur Foda.
Përzgjedhësi Foda ka paralajmëruar edhe ndryshime në formacion, duke theksuar se ndeshja ndaj Izraelit nuk është vendimtare për pozitën e parë në grup, por është shumë e rëndësishme për ecurinë e Kosovës.
“Nuk mund të them se kjo ndeshje është vendimtare për pozitën e parë në grup, por absolutisht që është shumë e rëndësishme secila ndeshje. Për ne është e rëndësishme të shohim se si do të luajmë, si do të paraqitemi, sa kompakt do të jemi dhe si do t’i qasemi ndeshjes. Është një nga ndeshjet që do të bëjë ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen paraprake”, ka thënë ai.
Kosova e ka nisur edicionin e pestë të Ligës së Kombeve me fitore 1:0 ndaj Irlandës në Prishtinë, ndërsa në ndeshjen e dytë pësoi humbje 3:1 nga Austria në Vjenë.
Foda ka kërkuar që skuadra të rikthehet te niveli i paraqitjes së treguar në ndeshjen ndaj Irlandës.
“Do të provojmë të luajmë njëjtë si ndaj Irlandës. As ndaj Austrisë nuk mund të them se jemi paraqitur shumë keq. Por synimi ynë është ta tregojmë lojën të cilën e kemi zhvilluar ndaj Irlandës. Prandaj do të shohim se çfarë do të mund të bëjmë nesër”, ka deklaruar përzgjedhësi i Kosovës.
Ndërkaq mbrojtësi Ilir Krasniqi e vlerësoi Izraelin si kundërshtar të fortë dhe theksoi rëndësinë e kompaktësisë së skuadrës.
Si e vlerësoi Ilir Krasniqi kundërshtarin?
“Është ndeshje e vështirë, sepse Izraeli ka ekip të mirë. Janë lojtarë mjaft teknikë që luajnë në hapësira të ngushta. Kemi bërë analizën, i kemi parë pikat e forta dhe shpresojmë që nesër t’i qasemi ndeshjes mirë në fushë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka kërkuar nga bashkëlojtarët që në fushë të luftojnë për njëri-tjetrin dhe të nxjerrin mësime nga ndeshja e fundit.
“Çdo ndeshje kemi nevojë gjithmonë për përmirësime dhe çdo ndeshje mësojmë nga loja e kaluar. Edhe nga ndeshja me Austrinë kemi mësuar të jemi më kompaktë dhe të luftojmë për njëri-tjetrin. Shpresojmë që nesër të shfaqim më të mirën tonë në fushë”, ka përfunduar Krasniqi.
Ndeshja Izrael–Kosovë zhvillohet të enjten në stadiumin “Nagyerdei” në Debrecen, duke nisur nga ora 20:45, dhe i takon Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
REZULTATET E DERITASHME:
Kosova – Irlanda 1-0
Austria – Izraeli 3-1
–
Austria – Kosova 3-1
Izraeli – Irlanda 0-3
TABELA AKTUALE:
1. Austria 6p.
2. Kosova 3p.
3. Irlanda 3p.
4. Izraeli 0p.
DUELET E RADHËS:
1 tetor, Izreali – Kosova
1 tetor, Irlanda – Austria
–
4 tetor, Kosova – Austria
4 tetor, Irlanda – Izraeli.


