
Dukagjini zyrtarizon Rrezon Gashin!
Futbollisti i Kosovës që ka luajtur për ekipin U-20 të Kosovës, Rrezon Gashi, është zyrtarizuar si lojtar i ri i Dukagjinit të Klinës sonte. Mesfushori që së fundi ka luajtur për Vushtrrinë, ndërsa më parë ka bërë përvojë edhe Lokomotiva U-19 dhe Luçko në Kroaci, tash e tutje do të vesh fanellën gjelbërebardhë të klinasve të drejtuar nga Armend Dallku.
“KF Dukagjini ka kënaqësinë të prezantojë futbollistin Rrezon Gashi, i cili i bashkohet klubit tonë për të dhënë kontributin e tij në mesfushë. I lindur më 11 shkurt 2006, Gashi është 20-vjeçar dhe luan në pozitën e mesfushorit. Ai ka qenë pjesë e FC Vushtrria, ndërsa në karrierën e tij ka pasur përvojë edhe në futbollin kroat, te Lokomotiva Zagreb U19 dhe NK Lučko.
Gashi është paraqitur edhe me Përfaqësuesen U20 të Kosovës, duke dëshmuar potencialin e tij në arenën ndërkombëtare. Ai karakterizohet nga vizioni i lojës, pasimet e sakta dhe aftësitë teknike.
Me energjinë, talentin dhe ambicien e tij, Rrezoni synon të japë maksimumin në fanellën e Dukagjinit.” — shkroi KF Dukagjini në njoftim.
