
Bamforth s’ndalet, Ylli rreshton fitoret
Scott Bamforth përsëri ka qenë kryesori, ndërsa Ylli ka vazhduar me fitore ngritjen në renditjen tabelare të Superligës. Ekipi suharekas i drejtuar nga Endrit Elshani ka shënuar fitore ndaj Pejës në “Karagaçi” sonte, duke i mposhtur ata me dallim minimal në rezultat, 89-90.
Bamforth luajti me 27 pikë, 5 asistime e 4 kërcime në fitore, duke mos pushuar për asnjë minutë në ndeshje, ndërsa pos tij u dallua edhe Antwan Scott me 14 pikë, 7 asistime e 2 kërcime në fitore. Brandon Huffman luajti me double-double prej 11 pikëve dhe 11 kërcimeve, dhe tani Yllit bilanci në Superligë iu bë 7-9.
Te Peja koshashënues më të dalluar në disfatë ishin Musab Mala me 20 dhe Jordan Johnson me 18 të shënuara. Verdhezinjtë tani janë në bilanc neutral me 8-8, ndërsa sonte i drejtoi ndihmës-trajneri M. Girling, pasi që ditë më parë klubi shkarkoi Greg Gibsonin nga detyra.
