
Barazim në derbin Prishtina-Drita, për të mbetur Ballkani lider!
Në një ndeshje të luftuar, por pa shumë raste, Prishtina dhe Drita barazuan në fund 1-1 për ta lënë Ballkanin lider të Superligës pas 22 xhirosh, ku këta të fundit rikthyen kreun ditë më parë, pasi që mposhtën Drenicën minimalisht në shtëpi.
Prishtina e nisi më mirë derbin, duke avancuar. Ishte një gabim në mbrojtje të Dritës pranë mesfushës, ndërsa sulmuesi verimaqedonas i bardhekaltërve vendas Mario Ilievski (43′) në moment pa Faton Malokun të dalë nga porta dhe shënoi gol prej 40 metrash për avantazh. Festë e madhe në tribuna, ku “Plisat” ishin mbi njëqind në numër.
Me këtë rezultat përfundoi edhe pjesa e parë, ndërkaq në pjesë të dytë Drita barazoi rezultatin pas një gjindshmërie tepër të mirë të sulmuesit të tyre Blerim Krasniqi, që në krosimin e Liridon Balajt dukej i palëvizshëm në mbrojtje të vendasve, por ai gjeti mundësinë për tu pozicionuar dhe shënoi bukur për 1-1 (54′).
Raste tjera të mëdha në ndeshje nuk kishte, ndërsa pos disa gjysmërasteve kur kishin kaluar tre minutat shtesë të dhëna nga gjyqtari kryesor i ndeshjes, pikët u ndanë në “Fadil Vokrri” sot.
Ballkani mbeti lider i Superligës me 39 pikë dhe me goldallim +20, derisa Drita me pikën e sotme u bë gjithashtu me 39 pikë, derisa goldallimin e ka +9. Prishtina është e treta në renditje me 37 pikë.
