
Bashkimi perfekt!
Me sonte ka përfunduar cikli i parë i stinorit, ndërsa Bashkimi është ekipi i vetëm i Superligës që s’ka pësuar në asnjë ndeshje, duke kryer këtë cikël ndeshjesh në Superligë me bilanc perfekt, 7-0.
Sonte, viktimë e Bashkimit ishte Bora, që pësoi me 20 pikë dallim për të përfunduar ndeshja me rezultat 69-89. Te prizrenasit me 20 pikë më efikasi ishte Isaiah Cousins, që bëri edhe 7 asistime e 7 kërcime në fitore.
Pos tij, u dalluan edhe Lejson Zeqiri me 18 të shënuara, që shutoi 4/6 për tre pikë, si dhe Jan Palokaj me 15 të tjera.
Bora që ka nisur këndelljen e lojës së saj me trajnerin Zoran Kascelan nuk ka arritur më shumë sesa t’i rezistoj prizrenasve pas startit të furishëm të tyre. Aty, kapiteni Adem Mekic ishte më i dalluari me 24 pikë të shënuara, ndërsa me 13 pikë luajti Shaquan Jules.
Bashkimi me këtë fitore, kreu duelet e para me secilin ekip të Superligës me fitore, duke qenë lider me bilanc 7-0. Bora në anën tjetër, është me bilanc 1-5, me një ndeshje më pak të luajtur.
