
Befasi në kryeqytet! Prishtina ia shkaktoi humbjen e parë Bashkimit!
Për herë të parë këtë stinor në të gjitha garat, Bashkimi është mposhtur! Dhe atë ka arritur të bëj Prishtina, që nuk dukej në formë të mirë së fundi. Ekipi i Jeronimo Sarinit sot falë Vincent Golsonit në formë të mirë, ka arritur që të fitojë duelin në fund të saj, kur prizrenasit veçse ishin rikthyer në lojë dhe ishin afër fitores.
Në minutën e fundit të lojës pikët kanë ardhur vetëm nga gjuajtjet e lira, ku Prishtina shënoi për atë që doli të jetë fitore, ndërsa tentimet e Divine Myles dhe Shannon Shorter për tri pikë, 48 dhe 6 sekonda para fundit të lojës nuk gjetën koshin dhe kështu portokallezinjtë pësuan, 79-77.
Golson luajti me 30 pikë, bëri 6 asistime e 1 kërcim në fitore, ndërsa Bryson Dawkins shënoi 14 pikë, 3 asistime e 8 kërcime në këtë triumf të madh, ndoshta edhe këndellës për bardhekaltërit.
Bashkimi, përkundër të gjithave në fund s’arriti për të bërë më shumë, ndërsa koshashënuesi më i mirë i tyre ishte Shorter me 19 pikë. Me nga 15 pikë lojën e kryen Lejson Zeqiri dhe Adrio Bailey, ku ky i fundit kreu lojën me double-double duke bërë 11 kërcime.
Bashkimi mbetet lider edhe pas xhiros së pestë, me bilanc 4-1, ndërsa Prishtina ngritet në 3-2.
