Shaheed Davis rikthehet në Kosovë, kësaj radhe te Vëllaznimi!

Basketbollisti amerikan, Shaheed Davis, i është rikthyer basketbollit kosovar pas një shtegëtimi të bërë në dy vitet e fundit në kontinente tjera, por jo në Evropë.

Lojtari 28 vjeçar aktualisht, që luajti 22 ndeshje për Prishtinën në stinorin 2023/24 ku kishte mesatare prej 15 pikësh për ndeshje, 1.8 asistime dhe 6.7 kërcime, së fundi ka qenë pjesë e ekipit tajlandez, për të cilët figuron të ketë luajtur deri në gusht të këtij viti.

Te Hitechu i Tajlandës ai ka pasur mesatare prej 17.8 pikëve për ndeshje, 3.5 asistime e 6.1 kërcime për lojë. Para saj, ai ishte pjesë e Leones, Trotamundos (Venecuelë), Ostioneros (Meksikë) dhe NCT Kenya (Keni).

TABELA AKTUALE E SUPERLIGES

Tani, do të punojë nën komandën e trajnerit maqedonas të Vëllaznimit, Aleksandar Jonchevski, ndërsa pritet të shihet se në çfarë forme është lojtari për të ndihmuar kuqezinjtë nga Gjakova për ngritje në renditje të tabelës.

“Me kënaqësi ju njoftojmë për transferimin e basketbollistit amerikan, Shaheed Davis!
Davis, i gjatë 206 centimetra, luan në pozitat 4 dhe 5 dhe sjell në Gjakovë përvojën e tij të pasur nga basketbolli ndërkombëtar.
Ai rikthehet në basketbollin e Kosovës, pasi më parë ishte pjesë e Prishtinës, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Itali me Cantu, Academic Plovdiv në Bullgari, Lavrio në Greqi, Fukushima Firebonds dhe Kumamoto Volters në Japoni, Sheffield Sharks në Angli, Hapoel Eilat në Izrael, Al-Naft në Irak, Feni Industries në Maqedoninë e Veriut dhe Cherkasy Mavpy në Ukrainë.
Me përvojën dhe cilësitë e tij, Davis pritet të jetë një vlerë e shtuar për ekipin tonë në vazhdim të sezonit.
I urojmë Shaheedit mirëseardhje në familjen kuqezi dhe shumë suksese me fanellën e Vëllaznimit tonë!” — shkroi njoftimi i KB Vëllaznimit sot.

Pas pesë xhirove të para të stinorit, Vëllaznimi është i fundit në renditjen tabelare të Superligës me një fitore të vetme të shënuar karshi katër humbjeve. Gjakovarët kanë mposhtur vetëm Pejën këtë stinor në Superligë, ndërsa në dy xhirot e ardhshme që shënojnë edhe ndeshjet e fundit të ciklit të parë të dueleve do të ndeshen me Rahovecin 029 dhe Bashkimin.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live