
Bora largon Tysonin, zyrtarizon Paytonin!
Ekipi i Borës ka zyrtarizuar sot një lojtar tjetër të huaj, pas ndarjes së lajmëruar dje me Tyson Jacksonin. Ekipi prishtinas që po kalon stinorin e dytë në Superligë ka ndërprerë bashkëpunimin me Tyson Jacksonin me marrëveshje.
“Faleminderit Tyson për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë kohës së kaluar me ekipin tonë.
Me marrëveshje të dyanshme kemi vendosur ta ndërpresim bashkëpunimin për këtë sezon.
Tysonit i urojmë shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij.” shkroi KB Bora në njoftimin për ndarje me lojtarin.

Ndërsa sot bëri të ditur se lojtari i ri në ekip të tyre është Chris Payton. I lindur në vitin 2000, Payton luan në pozitën e alo-qendrës dhe së fundi ka qenë në Ormanspor. Ai aty ka pasur 21.7 minuta për ndeshje, ndërsa ka shënuar 10.8 pikë për ndeshje mesatarisht. Bashkë me 2.1 asistime dhe me 5.6 kërcime aty, ai pritet të këndellë lojën e Borës në vazhdim të kampionatit, ku në mesjavë nis cikli i dytë i ndeshjeve të Superligës.
Përndryshe, i larguari Tyson Jackson ka pasur mesatarisht 17.5 minuta për ndeshje te Bora këtë stinor, duke shënuar 8.8 pikë, 1.2 asistime dhe 4.3 kërcime për ndeshje.
