
Bora me 9 pikë dallim ndaj Rahovecit 029 në ndeshjen e parë
Bora i është afruar gjysmëfinales së Kupës së Kosovës për 9 pikë! Fitorja e sontme ndaj Rahovecit 029 me rezultat 79-70 ka bërë që prishtinasit e drejtuar nga Zoran Kascelan të shpresojnë për gjysmëfinale karshi vreshtarëve, që do të duhet të bëjnë fitore dyshifrore në ndeshjen e kthimit për të arritur në katërshen finale të Kupës!
Bora dallimin e bëri në çerek të dytë dhe të tretë, ku krijoi avantazh për të menaxhuar mirë atë të fundit dhe për të fituar ndeshjen me 9 pikë dallim.
Tyler Cheese me 25 pikë, 3 asistime e 4 kërcime ka qenë më efikasi te Bora në fitore. Shaquan Jules luajti me double-double prej 12 pikësh e 12 kërcimesh në fitore, ndërsa 15 pikë i dha Jetmir Zeqiri, që shtoi edhe 2 asistime e 6 kërcime në fitore.
Rahovecit 029 nuk i mjaftuan 23 pikët e Kentrell Pullianit. Ai bëri edhe 4 asistime e 6 kërcime për ekipin e tij, por s’mjaftoi! Lojtari tjetër i vetëm që arriti pikë dyshifrore te ekipi i Bujar Locit ka qenë Isaiah Umipig që shënoi 12 sosh dhe bëri 5 asistime.
Në ndeshjen e kthimit në “Mizahir Isma”, Rahoveci 029 do të shpresojë në më mirën, derisa Bora do të tentojë të ruajë epërsinë e arritur sonte – në luftë për gjysmëfinale.
