
Bora mposhti Rahovecin 029, kërkon rekord-plasman në Superligë!
Vetëm në stinorin e dytë të saj në Superligë, Bora është duke bërë historinë e klubit. Ekipi prishtinas që nisi stinorin jo mirë nën drejtimin e Lubomir Minchevit, tashmë duket skuadër tjetër nën komandën e Zoran Kascelanit, ndërkaq pozita e tretë në renditje tabelare as që ka qenë e mundur të parashikohet nga dikush pas 22 xhirosh!
Por, dalëngadalë Bora i arriti të gjitha dhe së fundi me fitoren ndaj Rahovecit 029 në “Mizahir Isma” tashmë ka bërë bilancin 12-10 dhe është shumë afër ta sigurojë një vend në TOP-4 të Superligës në fund të stinorit të rregullt, si dhe playoffin e parë në histori.
Sa i përket ndeshjes, Bora e siguroi atë me lojë konstante duke ngritur dallimin pas çdo çereku, e kur ekipet hynë në atë të fundit, bardhekaltërit mysafirë kishin epërsinë 16 pikëshe. Insistimi i vendasve në periudhën e fundit të lojës, vetëm sa zbuti humbjen e tyre, me 77-85 përfundimtare.
Rrezart Memedi dha 20 pikë, duke shutuar 6/10 për tri pikë, ndërsa Shaquan Jules dha 14 pikë e bëri 8 kërcime në fitore të Borës. Pos tyre, me nga 13 pikë ndeshjen e kryen Alex Hunter dhe i posaardhuri në ekip, Jordan Dingle.
Rahovecit 029 nuk i mjaftuan 27 pikët, 6 asistimet e 4 kërcimet e J’Von McCormmickut. Ketrell Pullian dha 16 pikë, 3 asistime e 6 kërcime, ndërsa ekipi mbeti i fundit në renditje edhe për një xhiro tjetër! Rahoveci 029 është aktualisht me bilanc 7-15. Deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe gjashtë xhiro. A do të shpëtojnë “vreshtarët” e drejtuar nga Goran Samardziev stinorin debutues të tyre në Superligë?
Sa i përket bilancit të këtij stinori në stinor të rregullt mes këtyre dy skuadrave Bora ka fituar 3 ndeshje krahas 1 të cilën e ka marrë Rahoveci 029, ndërsa koshdallimi në këto përballje është +24 për prishtinasit.
