
Disfata nga 2 Korriku, fatale për Duron!
Liria ka mbetur pa trajner! Ekipi prizrenas pas disfatës nga 2 Korriku në fundjavën që e lamë pas, ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin shqiptar, duke theksuar se ai është larguar për arsye personale!
Bardhezinjtë para fillimit të stinorit shprehnin kandidaturën për rikthim në Superligë, por sot pas tetë xhirosh kanë dy disfata dhe janë larg kreut të tabelës. Ndërsa Duro, u largua.
“Klubi i Futbollit FC Liria njofton se trajneri i ekipit të parë, Klodian Duro, është larguar nga drejtimi i skuadrës për arsye personale.
FC Liria shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, punën e palodhur, kontributin dhe profesionalizmin që trajneri Duro ka treguar gjatë gjithë periudhës së tij në klub. I urojmë suksese të shumta në të ardhmen, si në aspektin personal, ashtu edhe në karrierën profesionale.
Në ditët në vijim, klubi do të njoftojë mbi zgjedhjen e trajnerit të ri dhe hapat e mëtejshëm në drejtimin e skuadrës.” — shkroi FC Liria në njoftim.
Në xhiron e radhës Liria pret Istogun. Prizrenasit presin të emërojnë trajner të ri të ekipit shpejt, pasi që tashmë një çerek i ndeshjeve kampionale të Ligës së Parë ka kaluar. Në stinorin e kaluar, përkundër se arritën sukses të madh me Leotrim Krasniqin duke shkuar në barazh, prizrenasit nuk vazhduan me trajnerin në fjalë.
Aktualisht, Liria është 8 pikë larg liderit Vëllaznimi dhe gjindet në pjesën e poshtme të renditjes tabelare të Ligës së Parë.