
Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova – më të mirët e vitit 2025
Në një ceremoni madhështore, Komiteti Olimpik i Kosovës organizoi edicionin e 10-të të mbrëmjes tradicionale “Laureatët e Vitit 2025”, duke nderuar sportistët dhe personalitetet më të suksesshme të vitit që lamë pas.
Në prani të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrit për Sport dhe Rini, Blerim Gashani, sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Iakovos Filippousis, si dhe personaliteteve të shumta nga sporti dhe jeta publike, çmimet kryesore i takuan xhudos.
Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova u shpallën “Sportistja” dhe “Sportisti i Vitit”. Për të dy ishte hera e gjashtë radhazi që marrin këtë epitet, duke konfirmuar dominimin e tyre në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq, trajneri i tyre, Driton Kuka, u shpall për herë të dhjetë “Trajneri i Vitit”.
Çmimi Special në konkurrencën e meshkujve iu nda Astrit Hasanit, president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, ndërsa në konkurrencën e femrave ky çmim i takoi xhudistes Laura Fazliu.
Në kategorinë e ekipeve kombëtare, futbolli dominoi në të dyja konkurrencat: Kombëtarja A për meshkujt dhe Kombëtarja U-17 për femrat. “Shpresa Olimpike” u shpallën: Bleron Ademi (taekëondo) dhe Enise Zijade (xhudo).
Në fjalën e tij, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, foli për sukseset e jashtëzakonshme të sportistëve, mbështetjen e vazhdueshme institucionale dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Të pranishmëve iu drejtuan edhe kryeministri Kurti dhe sekretari Filippousis, duke vënë theksin te krenaria për arritjet e sportistëve tanë dhe rëndësia strategjike e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Iakovos Filippousis u nderua me çmimin “Arritje të Veçantë” për kontributin e tij në organizimin e Lojërave Mesdhetare. Me të njëjtin çmim u nderua edhe kampionia olimpike Nora Gjakova, e cila vitin e kaluar i dha fund karrierës së saj të jashtëzakonshme.
KOK nderoi federatat që organizuan gara ndërkombëtare të nivelit evropian dhe botëror: taekwondo, e-sports, shah, volejboll, basketboll, hendboll, ragbi, si dhe bjeshkatari dhe ngjitje sportive.
Po ashtu, u nderuan edhe sportistë të sporteve olimpike dhe joolimpike për sukseset e tyre në arenën ndërkombëtare, përfshirë medalistë botërorë, rekordmenë dhe përfaqësuese kombëtare.
Laureatët e Vitit 2025 (Përzgjedhja e Jurisë)
Sportistja e Vitit:
Distria Krasniqi (xhudo)
Sportisti i Vitit:
Akil Gjakova (xhudo)
Trajneri i Vitit:
Driton Kuka (xhudo)
Çmimi Special (M):
Astrit Hasani (peshëngritje)
Çmimi Special (F):
Laura Fazliu (xhudo)
Kombëtarja e Vitit (M):
Futbolli – Seniorët
Kombëtarja e Vitit (F):
Futbolli – U-17
Shpresa Olimpike (M):
Bleron Ademi (taekwondo)
Shpresa Olimpike (F):
Enise Zijade (xhudo).
