
Dita e parë e mesjavës në Kupë: Favoritët kalojnë tutje
Nuk ka pasur as edhe një befasi në ditën e parë të së gjashtëmbëdhjetës së finales së Kupës së Kosovës sot. Të gjitha skuadrat favorite, që janë një rang më lartë në garat e Kosovës kanë kaluar tutje. Bile, nuk ka pasur as edhe një ndeshje që ka shkuar në vazhdime!
Kjo sa tregon cilësinë, tregon edhe dallimin që po ngritet nga skuadrat që luajtën sot në Kupë të Kosovës e që gjinden një rang më lartë në gara në krahasim me ato mëposhtë.
Ekipet e Superligë kalojnë tutje
Kështu, Drita, Ballkani, Malisheva, Llapi, Gjilani, Prishtina e Re, Ferizaji, Dukagjini e Drenica – kanë siguruar të tetën e finales së Kupës së Kosovës duke mposhtur rivalët e tyre. Malisheva pak më vështirë se të tjerat, pasi që është dashur të përmbys Trepçën kah fundi i pjesës së dytë.
Dukagjini eliminoi Ramiz Sadikun 3-1, Ballkani Rilindjen 1974 1-0, ndërsa Drenica me golin e shënuar në pjesë të dytë Prizrenin 1-0. Gjilani kaloi Istogun me 2-1, ndërsa Drita si mysafire në pjesë të dytë shënoi tre herë për të kaluar Besa Pejën, 0-3.
Njëjtë, edhe Llapi fitoi me tre gola dallim skuadrën e Vjosës, 4-1. Malishevës iu desht pak më shumë punë e angazhim për të kaluar Trepçën që luftoi mjaft, por në fund pësoi golin që dha rezultatin përfundimtar, 1-2. Ferizaji kaloi Tefik Çangën 2-0, derisa Prishtina e Re kaloi lehtë ndaj Lepencit, 4-1.
Duelet e mbetura luhen nesër e pasnesër
Nesër në kuadër të Kupës luhen këto ndeshje: 2 Korriku – Dinamo, Flamurtari – Vushtrria, KEK – Vëllaznimi, Liria – Suhareka dhe Istogu 03- Feronikeli’74. Të premten, luhet ndeshja e fundit e këtij rrethi të Kupës, ku Kika pret Trepçën’89.
