Dramë e paparë në finale, Senegali kampion i Afrikës

Ndeshje e zjarrtë, plot luftë dhe me dramë që mund të shihet vetëm në një finale afrikane! Derisa ndeshja ishte 0-0 dhe po i afroheshte minutës së 90-të, Senegalit iu anulua një gol (89′). Më pas, në kohën shtesë gjyqtari kryesor akordoi penallti për Marokon (90’+2), përndryshe organizatore e kampionatit të Kombeve të Afrikës për këtë vit.

Trajneri i Senegalit tërhoqi ekipin nga fusha! Sadio Mane thirri shokët për ta mos lënë fushën, ndërsa Brahim Diaz po bëhej gati ta shutonte penalltinë që do ta vendoste takimin! Diaz provoi “panenka” ndërsa portieri Edouard Mendy pa lëvizur nga vendi e mbrojti atë. Në orë, minuta tregonte 90’+24, që në fakt do të duhej të ishte 90’+5 — po të mos ishte drama e largimit nga fusha të senegalezëve për ato çaste.

Rabati ra në qetësi të plotë, ndërsa Senegali mori fuqi për vazhdime. Me të nisur vazhdimet Pape Gueye shënoi (94′) dhe çoi Senegalin në avantazh! Gëzim i papërshkrueshëm për “luanët e Terangës”.

Marokoja u hodh në sulm të plotë, senegalezët u koncentruan në kundërsulme të shpejta. Shtylla ndali Marokon nga barazimi në minutën e 110 të vazhdimeve, ndërsa Cherif Ndiaye humb rast ideal (113′) para Yassine Bounousë, për të “mbytur” ndeshjen! Përndryshe, rrebesh shiu në stadiumin “Prince Moulay Abdallah” të Rabatit përgjatë thuajse gjithë ndeshjes binte.

Marokoja humbi rastin të merr trofeun e dytë të Kupës së Kombeve që aq shumë e kërkonin. Për herë të fundit atë e kanë fituar në 1976! Senegali në festë me Sadio Manenë plotësisht profesionist që mbante kontrollin jo vetëm të lojës, por edhe të bashkëlojtarëve në raste për ta marrë trofeun e dytë të Kupës së Kombeve afrikane në histori, pasi që të parin e kanë fituar në 2021!

Senegali, vendi më Perëndimor në tokën afrikane, në fund nisi festën e madhe të titullit të kampionit të kontinentit. Finalja, Senegali 1-0 Maroko, pas 120 minutave lojë.

 

Në fund, Senegali ngriti trofeun, ndërsa Brahim Diaz i Marokos mori çmimin e golashënuesit më të mirë të AFCON 2025, Yassine Bounou i Marokos të portierit më të mirë, kurse Sadio Mane i Senegalit, të lojtarit më të mirë.

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live