
Duka: Fundi i kualifikimeve hap bisedimet me Sylvinhon
Kreu i FSHF-së, Armando Duka, ka folur për TopChannelin në prag të ndeshjes së rëndësishme për Shqipërinë, që ka përballë Serbinë të shtunën më 11 tetor. Shqipëria është mysafire e Serbisë në Leskovac në stadiumin “Duboçica”, ndërsa ndeshja do të luhet nën kontroll strikt, për shkak të ngjarjeve të kaluara në Serbi, kur Shqipëria ishte mysafire aty në vitin 2014.
E ekipi kombëtar, i drejtuar nga braziliani Sylvinho do të duhet të fitojë që të fusë rehatinë për të kapur së paku playoffin për Botërorin 2026. Kjo, për shkak të barazimit të kuqezinjëve jashtë terrenit me Letoninë. Sylvinhos pak po i dridhet karrika, jo për shkak të rezultateve sa për mugnesë konkretizimi në lojë.
Duke pasur parasysh këto, Duka në TopChannel dha këto përgjigje në pyetjet e gazetarit aty.
A do të jetë ky udhëkryq i kombëtares që vendos për Botërorin tonë dhe të ardhmen e Sylvinhos?
– Nuk është e vërtetë që ne kemi vendosur nëse do të fitojë apo jo në këtë ndeshje Sylvinho do të vendosë fatet e tij. Ajo që ne kemi thënë është që nëse do të kualifikohemi, nuk ka asnjë motiv që të diskutojmë për të cënuar apo ndryshuar stafin. Nëse ne nuk do të kualifikohemi, padyshim që do të ketë diskutime, qoftë nga ne, qoftë nga stafi i tij apo ai vetë. Kështu që nuk është kjo ndeshja që do të vendosë nëse Sylvinho do të jetë apo jo më tej.
Matematika na lejon të mendojmë se ne luajmë për dy rezultate atje, fitoren dhe barazimin.
– Fitorja do të na bënte më të sigurt për të arritur objektivin e play off-it, ndërsa barazimi na mban në lojë. Por ne hyjmë në fushë për tre pikët dhe jemi të ndërgjegjshëm që janë shumë të vështira për t’u marrë. Askush nuk mund të mendojë se ne jemi favoritë. Unë mendoj që kjo është një ndeshje e hapur dhe ne i kemi mundësitë për të marrë 3 pikë.
TABELA AKTUALE, GRUPI K:
1. Anglia 15 pikë (5 ndeshje); 2. Shqipëria 8 pikë (5 ndeshje); 3. Serbia 7 pikë (4 ndeshje); 4. Letonia 4 pikë (5 ndeshje); 5. Andorra 0 pikë (5 ndeshje).
NDESHJET E MBETURA:
11 tetor,
Letonia-Andorra
Serbia-Shqipëria
14 tetor,
Letonia-Anglia
Andorra-Serbia
13 nëntor,
Andorra-Shqipëria
Anglia-Serbia
16 nëntor,
Serbia-Letonia
Shqipëria-Anglia.