
E treta me radhë për Lirinë!
Liria ka shënuar fitore minimale si mysafir të shtunën. Kjo ka qenë fitorja e dytë si mysafir radhazi, minimale dhe ka qenë po i njëjti njeri që ka siguruar këtë fitore me vlerë trepikëshe, njëjtë sikurse në ndeshjen e kaluar si mysafir.
Qendërsulmuesi Dijar Nikqi ka shënuar golin e vetëm për Lirinë në “Agron Rama’ për t’ia sjellë djelmoshave bardhezi të drejtuar nga Ismet Munishi fitoren 0-1 [Dijar Nikqi 74′] ndaj KEK-ut vendas, ndërsa kjo ka qenë fitorja e tretë me radhë për Lirinë në po aq ndeshje kampionale me trajnerin e ri.
TABELA AKTUALE E LIGES SE PARE
Munishi, pasi që debutoi me eliminim nga Kupa e Kosovës me Lirinë, ku ishte mposhtur nga Gjilani, ka vazhduar në mënyrë më të mirë ndeshjet kampionale ku në tri përballje ka marrë nëntë pikë, për të kërcyer aktualisht në pozitë të katërt të tabelës me 45 pikë.

Liderja aktuale Vushtrria ka 47 pikë, ndërsa para Lirisë në renditje janë edhe Feronikeli’74 dhe Trepça’89 me 2 e 1 pikë më shumë momentalisht. Këta të fundit ndeshjen e radhës e luajnë të dielën dhe kanë mundësi që të dalin në krye të tabelës.
Pas këtij dueli dhe kësaj fitoreje, Lirinë në xhiron e radhës e pret test i vërtetë, pasi që do të jetë nikoqire e Vushtrrisë në “Përparim Thaçi”. Epilogu i këtij takimi mund të bëj ndërrime të vogla në renditje, por do të jetë e rëndësisë së madhe për të dyja skuadrat për vazhdimin e stinorit – derisa të dyja kanë qëllimin e njëjtë – Superligën.
