
Edhe pse pa tifozëri, FSHF gjobitet nga FIFA për ndeshjen Shqipëria-Anglia!
Përkundër se nuk po ka tifozë të organizuar në përballjet e Shqipërisë pas bojkotit që po ia bëjnë Tifozat Kuq e Zi në “Arenën Kombëtare” FSHF është gjobitur përsëri.
Mbi 2 mijë franga zvicerane
Sipas njoftimit të vetë FSHF-së, janë gjobitur me 2 mijë e 250 franga zvicerane nga FIFA për hedhjen e gjësendeve nga disa publiku në fushë të lojës në ndeshjen Shqipëria – Anglia, që përfundoi me fitoren e mysafirëve, 0-2!

Njoftimi i FSHF-së:
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të shprehë mirënjohjen e saj të thellë për të gjithë tifozët shqiptarë, për sjelljen shembullore dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Kombëtares gjatë ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës 2026.
Pasioni, energjia dhe qytetaria e treguar në “Air Albania” kanë qenë një dëshmi e kulturës së re sportive që po ndërtojmë së bashku në vend.
Progresi i dukshëm i tifozerisë reflektohet edhe në vlerësimet zyrtare të institucioneve ndërkombëtare. Për ndeshjen Shqipëri–Angli, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, Komisioni Disiplinor i FIFA-s vendosi një gjobë simbolike prej vetëm 2250 frangash zvicerane, për shkak të një incidenti të izoluar.
Ky vendim përbën një tregues të qartë të përmirësimit të ndjeshëm, sidomos në krahasim me dënimet e rënda të viteve të shkuara. Incidentet kanë qenë minimale dhe sjellja e përgjithshme e publikut është vlerësuar si pozitive.
Shqipëria renditet aktualisht në vendin e 50-të në klasifikimin “Fair Play” të UEFA-s, një pozicion që dëshmon progres, por që njëkohësisht na motivon të synojmë më lart. FSHF beson se tifozët shqiptarë meritojnë të jenë në vendet e para të kësaj renditjeje dhe është e bindur se, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndërgjegjësimit të vazhdueshëm, ky objektiv është plotësisht i arritshëm.
Federata Shqiptare e Futbollit i inkurajon të gjithë tifozët të vazhdojnë të jenë shembull sportiviteti dhe mbështetjeje korrekte për Kombëtaren, duke forcuar imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe duke kontribuar në një atmosferë të sigurt, të qytetëruar dhe pozitive në çdo ndeshje.” — shkroi FSHF në njoftim.
Shqipëria ka siguruar për herë të parë në histori playoffin për kualifikim drejt Botërorit. Kuqezinjtë nën drejtimin e brazilianit Sylvinho kanë siguruar pozitën e dytë në grupin e tyre kualifikues, duke lënë pas Serbinë dhe tani do të duhet të kalojnë dy ndeshje playoffi për të marrë biletën drejt Botërorit.
Rrugëtimi për Botëror
Kuqezinjtë në gjysmëfinale playoffi luajnë me Poloninë si mysafir. Nëse e fitojnë këtë duel, atëherë në finale të playoffit luajnë me fituesin e duelit Ukraina – Suedia. Fituesi i finales siguron biletën drejt Botërorit.
