
Ekipi i parë i Superligës që largon trajnerin këtë stinor!
Dy humbje nga ekipet që nisën stinorin dobët në Superligë kanë bërë që KB Peja përfundimisht të vendos për ndarje me trajnerin e saj. Verdhezinjtë pas disfatës nga Rahoveci 029 në fundjavë sot kanë zyrtarizuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Michalis Kakiouzis.
Përkundër investimeve dhe startit të mirë me dy fitore radhazi, Peja tashmë ka tre disfata me radhë dhe ekipi ka rënë në pjesën e poshtme të renditjes tabelare të Superligës.
Kjo ka bërë që drejtuesit nga “Karagaçi” të marrin këtë vendim, me trajnerin që nisi të punojë aty nga pjesa e fundit e stinorit të kaluar.
“Klubi i Basketbollit Peja njofton opinionin publik se, me marrëveshje të dyanshme, ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Michalis Kakiouzis.
KB Peja e falënderon trajnerin Kakiouzis për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e tij gjatë periudhës së bashkëpunimit me klubin tonë. E vlerësojmë angazhimin e tij, korrektësinë dhe kontributin e dhënë për ekipin.
Klubi i uron trajnerit Kakiouzis shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale, si dhe fat dhe mbarësi në sfidat e ardhshme.
Faleminderit Trajner shumë suksese tutje!” — shkroi KB Peja në ëeb-faqen e saj të përditësuar.
Mbetet të shihet se për kë do të vendos Peja në vazhdim si trajner pas ndarjes me grekun Kakiouzis, derisa bëhet ekipi i parë këtë stinor që ndërmerr masa në shtab teknik për të këndellur ekipin!
