
FBK hapi konkurs për WildCard, por a do të ketë kandidatë?!
Tashmë kanë kaluar disa ditë, ndërsa afati i fundit për një ekip që të konkurrojë për Superligë mbyllet të martën tjetër, më 28 korrik. Pas mosarritjes së Dritës që të merr pjesë në Superligë, për shkak të arsyeve të dhëna nga klubi, FBK siç pritej hapi konkursin për ekipin e tetë të Superligës që do të futet aty përmes WildCardit.
Drita, që u bë kampione e Ligës së Parë në stinorin 2025/26, gati një muaj më parë bëri të ditur edhe zyrtarisht se nuk do të mund të jetë pjesë e Superligës, duke hequr dorë kështu nga kategoria ku i takon të jetë aktualisht.

FBK tani me WildCard kërkon që të plotësohet një vend i zbrazët i mbetur në Superligë. Superliga përbëhet nga tetë ekipe. Vëllaznimi ra në stinorin e kaluar, ndërkaq Drita u ngrit. Tani, me mospjesëmarrjen e Dritës, FBK hapi konkursin, ndërsa kushtet e kërkuara nga FBK vështirë që do të mund të plotësohen nga ndonjë ekip pos Dritës, Vëllaznimit dhe PC Prizrenit.
Mirëpo, aktualisht asgjë nuk po dëgjohet! Skuadrat sikur janë strukur dhe shuma e madhe që do të duhet të sigurohet për të qenë konkurrues në Superligë po frikëson të gjithë. Për të kaluar një stinor “normal” në Superligë buxheti minimal i një ekipi duhet të jetë mbi 100 mijë euro dhe gjithashtu të kesh fat në përzgjedhjen e lojtarëve!

Derisa Trepça, Bashkimi dhe Peja në një anë po bëjnë përforcime të mëdha për tu përfaqësuar denjësisht në FIBA Europe Cup, në anën tjetër Bora dhe Prishtina për tu rritur sa më shumë, Ylli duke ndërtuar ekip për t’i konkurruar titullit dhe Rahoveci 029 për të kaluar stinorin e dytë në Superligë — ekipeve tjera do t’i duhet shumë para së pari, e pastaj edhe punë.
Njoftimi i FBK-së:
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në bazë të nenit 24 të Statutit të FBK-së, nenit 2 të Rregullores së Punës së Bordit, si dhe nenit 6.2 dhe nenit 47 të Propozicioneve të Garave për Kategoritë Seniore, duke marrë parasysh se KB Drita nuk i ka përmbushur kriteret e licencimit për pjesëmarrje në ProCredit Superligën e Kosovës për edicionin garues 2026/27, përkatësisht kriterin infrastrukturor dhe kriterin sportiv, me ç’rast është krijuar një vend vakant në ProCredit Superligë;
Duke marrë parasysh se, në përputhje me nenin 47.4 të Propozicioneve të Garave për Kategoritë Seniore, plotësimi i vendeve vakante në nivelet e garimit mund të bëhet përmes mekanizmit të ëild Card-it, në rastet kur plotësohen kushtet e përcaktuara nga Bordi i FBK-së;
Duke vlerësuar se ProCredit Superliga është niveli më i lartë i garimit në basketbollin e Republikës së Kosovës dhe zhvillimi i saj me tetë (8) klube pjesëmarrëse është në interes të zhvillimit të basketbollit, ruajtjes së integritetit të sistemit të garave dhe mbarëvajtjes së rregullt të kampionatit;
Duke marrë parasysh kompetencën e Bordit të FBK-së për plotësimin e vendeve vakante në liga dhe përcaktimin e kushteve për dhënien e ëWld Card-it, në përputhje me Statutin, Propozicionet e Garave dhe aktet tjera normative të FBK-së, shpall:

KONKURS
Për plotësimin e një (1) vendi vakant në ProCredit Superligën e Kosovës për edicionin garues 2026/27 përmes mekanizmit Wild Card.
Klubet e interesuara për përfitimin e Wild Card-it për pjesëmarrje në ProCredit Superligën e Kosovës për edicionin garues 2026/27 duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara për Licencën A, në përputhje me Rregulloren për Licencim të Klubeve në FBK.
Në kuadër të procesit të vlerësimit, FBK do të shqyrtojë përmbushjen e kritereve si vijon:
1. Kapacitetet infrastrukturore të klubit, përfshirë sigurimin e vazhdueshëm të palestrës sportive që plotëson standardet e FBK-së dhe rregullat teknike të FIBA-s , si dhe përmbushjen e kërkesave për sigurinë dhe organizimin e ndeshjeve;
2. Kapacitetet organizative dhe administrative të klubit për zhvillimin e garave në nivelin e ProCredit Superligës, përfshirë strukturën drejtuese dhe organizative të klubit, si dhe përmbushjen e kërkesave administrative të përcaktuara nga FBK;
3. Përmbushjen e obligimeve financiare dhe administrative ndaj FBK-së dhe palëve tjera relevante, përfshirë gjendjen financiare të klubit, dokumentacionin financiar dhe kapacitetin për përmbushjen e obligimeve gjatë edicionit garues;
4. Kapacitetet sportive të klubit, përfshirë strukturën e ekipit, regjistrimin e lojtarëve, stafin profesional, pjesëmarrjen me ekipet e gjeneratave të reja dhe kushtet për zhvillimin e aktivitetit garues;
5. Përmbushjen e kritereve ligjore, etike dhe disiplinore, përfshirë regjistrimin ligjor të klubit, dokumentacionin organizativ, respektimin e akteve normative të FBK-së dhe përmbushjen e obligimeve ndaj institucioneve relevante;
6. Përvojën e klubit në garat e organizuara nga FBK dhe kontributin në zhvillimin e basketbollit në Republikën e Kosovës;
7. Përmbushjen e obligimit financiar të klubit lidhur me kuotizim dhe shtesat financiare, për të mbështetur funksionimin, administrimin, zhvillimin e aktiviteteve sportive, organizimin e garave dhe realizimin e objektivave statutore të Federatës.
Në rast se më shumë se një klub përmbush kriteret e përcaktuara për përfitimin e Wild Card-it, Bordi i FBK-së do të bëjë vlerësim objektiv, transparent dhe të bazuar në kriteret e përcaktuara në këtë konkurs, duke marrë parasysh kapacitetet sportive, financiare, organizative dhe infrastrukturore të secilit klub aplikues, si dhe kontributin e mundshëm të klubit në zhvillimin e basketbollit në Republikën e Kosovës, përfaqësimin sa më të gjerë të basketbollit dhe interesin e përgjithshëm të sistemit të garave.
Klubet e interesuara duhet të paraqesin shprehjen e interesit së bashku me dokumentacionin që dëshmon kapacitetet e tyre organizative, sportive, infrastrukturore dhe financiare.
Kandidaturat duhet të dorëzohen në adresën elektronike: [email protected]
Afati për paraqitjen e shprehjes së interesit është deri më 28 korrik 2026, ora 17:00.
Vendimi për dhënien e Wild Card-it merret nga Bordi i FBK-së në bazë të vlerësimit të përgjithshëm të kandidaturave dhe në përputhje me Statutin, Propozicionet e Garave dhe aktet tjera normative të FBK-së.”.
Si do të mbetet Superliga 26/27?!
Deri më datën 28 të këtij muaji do të kuptohet nëse ndonjëri ekip do të konkurrojë për pozitën e lirë të mbetur në Superligë. Në të kundërtën, nëse nuk ndodh ndonjë befasi, Superliga do të mund të vazhdojë me 7 skuadra, derisa logjikisht nuk do të duhej të binte asnjëra nga Superliga dhe lufta e vetme aty do të ishte pjesëmarrja në playoff!
