
Federata polake konfirmon stadiumin, Shqipëria do të luajë në stadiumin e…
Skuadrat nikoqire të gjysmëfinaleve të playoffit për Botërorin 2026 në zonën evropiane nga Konfederata e UEFA-së, sot kanë afatin e fundit për të përcaktuar stadiumin ku do ta luajnë duelin e 26 marsit.
Kështu, pas Sllovakisë që njoftoi në mëngjes se ndeshjen me Kosovën do ta zhvillojë në Stadiumin Kombëtar të Bratisllavës, në këto çaste edhe Polonia ka konfirmuar stadiumin, ku do ta zhvillojë përballjen gjysmëfinale të playoffit, ndaj Shqipërisë.

Siç dihet, Shqipëria dhe Polonia përfunduan të dytët në grupet e tyre përkatëse kualifikuese për Botëror dhe në short janë ndeshur në rrugëtimin B të playoffit ku njëra nga këto do të zhvillojë finalen ndaj fituesit të përballjes Ukraina-Suedia.
Dy herë mysafirë
E Federata polake posa lëshoi njoftimin që ndeshja ndaj Shqipërisë më 26 mars 2026 që nis në ora 20.45 do të zhvillohet në Stadiumin Kombëtar PGE të Varshavës.
Për dalllim nga Kosova, që nëse arrin finalen e playoffit do ta luajë në shtëpi, Shqipërinë shorti e ka hedhur edhe ndeshjen finale si mysafir. Pra, nëse kuqezinjtë e Sylvinhos kalojnë Poloninë në përballjen e 26 marsit, atëherë do të jenë përsëri mysafirë, kësaj radhe të Ukrainës ose Suedisë në finale të playoffit. E fituesi i finales, siguron biletën për Botërorin “USCAME 2026”.
Stadiumi: Narodowy PGE
Stadiumi kombëtar PGE i Polonisë që është në kryeqytetin polak ka kapacitet prej 58 mijë ulëseve. Ka dimension 105×68 metra, ndërsa ndërtimi i tij që ka përfunduar në vitin 2012 ka kushtuar 1.9 miliardë euro. Stadiumi ka kulm mobil, që ndalë nxehtësinë e madhe dhe pengon rreshjet atmosferike që mund të rëndojnë fushën e lojës si bora, shiu i madh apo breshëri.

