
Ferizaji dhe ndihmës-trajnerët e Drenicës në disiplinore!
Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës në FFK ka publikuar inicimet disiplinore të nisuara nga Komisari i Garave të FFK-së për ndeshjet e xhiros që e lamë pas të Superligës.
Kështu, pos FC Ferizajit që është në disiplinore për shkak të tifozërisë së tyre, aty figurojnë edhe emrat e ndihmës-trajnerëve të Drenicës.
Mëposhtë, njoftimi i plotë i KG të FFK-së.
Inicime disiplinore
Ndaj: KF Ferizaj. Motivi: Në minutën 81-të, tifo-grupi i vendasve “Ujqit” hedhin mjete piroteknike në fushën e lojës, për çka ndeshja ndërpritet për disa sekonda, deri sa stafi i largon ato nga fusha. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Ferizaj –Malisheva.
Ndaj: Nd/trajnerit të FC Drenica, Fitim Guraziu. Motivi: Në minutën 34-të ndëshkohet me karton të verdhë për reagim ndaj vendimit të gjyqtarit. Pas ndëshkimit, i njëjti fillon me fyerje dhe ofendime me fjalë të rënda, për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt. Gjatë largimit nga fusha vazhdon me ofendime dhe fyerje të rënda. Pas përfundimit të ndeshjes, në zonën e daljes, përsëri kërcënon, ofendon dhe fyen, duke tentuar edhe kontakt fizik me gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Drenica –Gjilani.
Ndaj: Nd/trajnerit të FC Drenica, Erion Luta. Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes, fyen dhe ofendon gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Drenica –Gjilani.
Ndaj: Lojtarit të FC Malisheva, Dren Shala (nr. i fanellës 14). Motivi: Në minutën 19-të ndërhyn në mënyrë të palejuar si lojtari i fundit, për çka ndëshkohet direkt me karton të kuq. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Prishtina U21 –Malisheva U21.
