Finalistët e papritur synojnë garat e UEFA-së!

As edhe optimisti më i madh i skudrave finaliste nuk do ta kishte besuar që në fund të stinorit 2025/26 në finale të Kupës së Kosovës vizën ta sigurojnë ekipet që e siguruan atë dje!

Favoritët u eliminuan

As Drita, as Ballkani, as Prishtina e as Gjilani apo Malisheva e që në vitet e fundit aty arrinte edhe Llapi! Finalistë të Kupës së Kosovës janë Ferizaji dhe Dukagjini, të cilët do të kërkojnë trofeun e Kupës së Kosovës dhe me fitore në finale do të marrin biletën për gara evropiane, të UEFA-së, konkretisht një mundësi për të dalë në raundin e parë kualifikues për Europa League (Liga e Evropës).

Gjysmëfinalet

Dukagjini ka bërë befasi të madhe në gjysmëfinale, duke e mposhtur Ballkanin në Suharekë 0-3 dhe pastaj në një ndeshje me gola të kthimit në Klinë, fitoi edhe njëherë 3-2 për të siguruar me 6-2 finalen.

Në anën tjetër, Ferizaji që fitoi në Podujevë ndeshjen e parë 1-2, ka arritur që t’i rezistojë llapjanëve në ndeshjen e dytë të luajtur në Ferizaj dhe me 0-0 përfundimtare ka nisur festën e madhe të arritjes së finales dhe mundësisë historike të tyre – për të dalë në gara evropiane.

Për Ferizajin, finalja e tretë e për Dukagjinin e katërta

Derisa për Dukagjinin garat evropiane nuk janë risi, pasi që njëherë dolën aty, për Ferizajin do të ishte debutim historik pjesëmarrja në gara evropiane. Për klinasit përndryshe kjo është finalja e katërt në histori, derisa për ferizajasit finalja e tretë në histori!

Rruga deri në finale të Kupës së Kosovës 25/26

Përndryshe, Dukagjini deri në finale kaloi Ramiz Sadikun 3-1, në të tetën e finales Prishtinën e Re 1-0, në çerekfinale Feronikelin’74 3-0 për të arritur në gjysmëfinale ku eliminoi Ballkanin, që llogaritej favorit deri tani.

Kurse rrugëtimi i Ferizajit deri në finale në përballje kishte Tefik Çangën 2-0, më pas në të tetën e finales Drenicën, që e kaloi me penallti 0-0 (3-4) për të arritur në çerekfinale ku eliminoi Vushtrrinë 2-0. Me tejkalimin edhe të Llapit, Ferizaji arriti finalen.

 

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live