Fitore e madhe e Rahovecit 029 ndaj Vëllaznimit në sekondën e fundit!

Një lëvizje e mençur e Eliot Pecit në futje të topit në lojë në sekondën e fundit të lojës, i ka sjellë fitoren e madhe Rahovecit 029 ndaj Vëllaznimit sonte në ndeshjen që u luajt në “Sezai Surroi” të Prizrenit, ku vreshtarët qenë vendas.

Rahoveci 029 që po debuton në Superligë ka shënuar fitore me rezultat 81-80 për të kapur triumfin e dytë të stinorit këtë stinor nga pesë xhiro të zhvilluara deri tani në elitë.

Ndeshja ka shkuar kryesisht barabartë, pos në disa raste kur Rahoveci 029 i Bujar Locit iku në 11 e Vëllaznimi në një rast në 7 pikë. Por, rezultati ishte aty-aty thuajse në pjesën më të madhe të ndeshjes, ku edhe gjithçka u vendos në fund të saj. Krejt kjo falë inteligjencës së Pecit, që kreu lojën me 5 pikë të shënuara, 2 prej të cilave — fituese!

Vëllaznimi provoi për 3 pikë në të qindtat e mbetura, por topi s’hyri në kosh dhe vreshtarët festuan në fund.

TABELA AKTUALE E SUPERLIGES

Kentrell Pullian me 25 pikë, 6 asistime dhe 8 kërcime ka qenë lojtari më i dalluar i Rahovecit 029 në këtë fitore. 21 pikë i dha Isaiah Umipig, ndërsa Julian Roche dhe Philbert Weekes i dhanë nga 10 sosh.

Te Vëllaznimi me 19 pikë, koshashënues më i mirë i ekipit ishte, Marques Warrick, ndërsa me 18 pikë lojën e kreu Leo Colimerio.

Me këtë fitore Rahoveci 029 ka bërë bilancin 2-3 në Superligë pas 5 xhirove të para, ndërkaq Vëllaznimi bëhet me 1-4!

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live