
Gabimet bjelloruse, kthejnë Shqipërinë te fitoret pas gati një viti!
Rolando Maran ka debutuar në ndeshje zyrtare me fitore për Shqipërinë. Kuqezinjtë që vinin nga një seri jo e mirë e rezultateve në të gjitha ndeshjet e tyre dhe me fitoren e fundit të shënuar ndaj Andorrës më 13 nëntor të vitit të kaluar, më në fund i janë kthyer fitores.

Ka qenë mbrojtja bjelloruse që me gabimet e tyre i ka ndihmuar Shqipërisë së pa ide në mes të fushës për të mundësuar shënime golash, derisa një penallti e shkaktuar mjaftoi për avantazh, kurse një gabim tjetër i mbrojtësit më vonë, mundësoi shfrytëzimin e mirë të topit të cilin dhjetëshja kuqezi Ernest Muçi e shënoi për përfundimtaren, Shqipëria 2-0 Bjellorusia [Kristjan Asllani 34’pen., Ernest Muçi 45’+2].

Kjo ka qenë ndeshja e parë e grupit në Ligën C të Kombeve për kuqezinjtë dhe 3 pikë shumë të rëndësishme për start, duke ditur që ekipi i drejtuar nga Maran kërkon vendin e parë në grup, ndërsa pos Bjellorusisë kundërshtar ka edhe Finlandën e San Marinon.
Ndër shenjat e mira të kuqezinjëve vazhdon të jetë mbrojtja e fortë dhe mirë e organizuar nën orkestrim të Berat Djimsitit, ndërsa rikthimi i Etrit Berishës në portë që shpëtoi 2 raste të rrezikshme, vazhdon të japë shpresa për ecurinë në këtë fazë të garave të Ligës C të Kombeve për Shqipërinë.

LIGA C E KOMBEVE, GRUPI 1
REZULTATET:
San Marino – Finlanda 0-7
Shqipëria – Bjellorusia 2-0
TABELA AKTUALE:
- Finlanda 3p.
- Shqipëria 3p.
- Bjellorusia 0p.
- San Marino 0p.
NDESHJET E RADHËS:
29 shtator, Finlanda – Bjellorusia
29 shtator, San Marino – Shqipëria.
*Shqipëria në këtë ndeshje hyri pas disfatave nga Anglia (kualifikime për Botëror), Polonia (playoff për Botëror), Ukraina (miqësore), Izraeli (miqësore) dhe Luksemburgu (miqësore).
