Garon edhe për një mandat, FFK vendos datën e Kuvendit Zgjedhor

Kreu aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, do të kërkojë votëbesim nga delegatët e Kuvendit Zgjedhor të FFK-së edhe për një mandat. Ademi 64 vjeçar do të mundohet që të fitojë edhe një mandat për të qenë numri një i futbollit të Kosovës, pasi që FFK-ja ka mbajtur sot mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të saj për këtë vit.

Pos tjerash, aty u përcaktua edhe data e mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.

“Në lidhje me procesin zgjedhor, KE i FFK-së konstatoi se përgatitjet për kuvendet zgjedhore në regjione janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë. Në këtë kuadër, Komiteti Ekzekutiv vendosi që Kuvendi Zgjedhor i FFK-së të mbahet më 5 shkurt 2026.” — shkroi FFK në njoftim.

Përndryshe, njoftimin që Ademi do të garojë për edhe një mandat ia ka konfirmuar vetë ai, koha.net-it. Agim Ademi është njëshi i shtëpisë së futbollit të Kosovës që prej korrikut të vitit 2018.

Duke folur për vitin 2025, presidenti Agim Ademi, theksoi se ky vit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në të gjitha segmentet, me arritje historike për futbollin e Kosovës. Ai vlerësoi se viti është përmbyllur shumë mirë, si në aspektin organizativ të Federatës, ashtu edhe me rezultatet e arritura nga Kombëtarja A dhe klubet kosovare në arenën evropiane.

Ai potencoi rëndësinë e dy ndeshjeve të ardhshme të ‘play-off’-it të Kombëtares, duke theksuar se përqendrimi i plotë duhet të jetë në ndeshjen e parë ndaj Sllovakisë, me shpresën që Kombëtarja do të jetë në formën optimale në muajin mars dhe do t’i kalojë me sukses edhe këta dy hapa për të realizuar ëndrrën e shumë gjeneratave për paraqitjen e parë historike në Kupën e Botës.

 

Fillimi
Rezultatet
Tabela
Live